Të pakënaqurit e BDI-së vazhduan takimet e tyre për të folur për gjendjen politike dhe atë në parti, kësaj here para të rinjve të Shkupit. Nënkryetarit Izet Mexhiti u shpreh se partia nuk është në krizë, gjersa drejtoi akuza drejt zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi për të cilin tha se po e lë në hije kryetarin e partisë Ali Ahmetin. Shtoi se as nuk e kanë ndërmend të ndahen nga partia.
“Dikush mund të na dëshirojë shtëpi të re, por ne nuk dalim nga shtëpia jonë. Edhe nga dera sikur të na përzënë, nga dritaret do të hymë, sepse ne jo vetëm shtëpi, por edhe në rrugë kur jemi na thonë qe ky i BDI-së”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Sekretari organizativ, Blerim Bexheti duke e vënë theksin tek të rinjtë tha se janë ata që gjithmonë i kanë sjellë fitore BDI-së.
“Gjithmonë, kur rinia është mobilizuar në çdo aktivitet, ashtu siç kemi bërë beteja të përbashkëta në fushata zgjedhore, të gjithë ne që jemi këtu, në sallë dhe ata që kanë mbetur jashtë, me familjet e juaja, me shokët miqtë e juaj, ne Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Ali Ahmetit i kemi sjell fitore bindëse në vendbanimet, në lagjet dhe në qytetet tona”, pohoi Blerim Bexheti, sekretar i organizativ i BDI-së.
Ndonëse thotë se parimore dhe parësore nuk e ka kolltukun, Bashkim Hasani edhe mban postin e zv/ministrit të Mbrojtjes, por është edhe pjesë e grupit të të pakënaqurve të BDI-së.
“Arsyeja përse jam pjesë e këtij grupi, thjesht nuk është vetëm ajo që kam dëgjuar nga anëtarët e këtij grupi për devijimet të cilat ndodhin në parti, për vërejtjet të cilat i kanë, por kam dëgjuar edhe shumicën e anëtarëve të BDI-së”, deklaroi Bashkim Hasani, zëvëndës ministër për Mbrojtje.
E rinia e BDI-së, të cilët mbështesin grupin e zjarrit, thanë se po ndjehen të lënë anësh, ndërsa meritojnë më shumë.
“Ne në kongresin e fundit ë BDI-së votuam që rinia të jetë në vend të parë, ndërsa ne nuk kemi asnjë përfaqësues në ekzekutiv. E kishim një zëvendësdrejtor edhe atë na e shkarkuan për të mbrojtur pozitat e tyre në Qeveri”, Jetmir Asani, nënkryetar i forumit rinor të BDI-së.
Përndryshe, derisa nga njëra anë grupi i zjarrit po vazhdon takimet për të treguar pakënaqësinë e saj, edhe kreu Ahmeti bashkë me Grubin dhe ministrat e tjerë po vazhdojnë takimet me simpatizantët e partisë.
