Grupi i zjarrit shfaqet zyrtarisht si fraksion/ Mexhiti: Nuk e di kë ka konsultuar Osmani në parti për 20%-shin

TË FUNDIT

Të pakënaqurit e integristëve edhe zyrtarisht u paraqitën para opinionit si fraksion i BDI-së. Ata folën për dallimet që kanë brenda partisë, në të cilën siç pohojnë ekzistojnë standarde të dyfishta gjatë debatit dhe vendimmarrjes, ndërsa organet e kësaj partie nuk funksionojnë më sipas statutit.

“Fatkeqësisht 3 vite me radhë kemi ngritur alarmin se nuk respektohet statuti dhe programi i BDI-së, gjë të cilën më së mirë e dëshmon mos themelimi i organeve partiake për këto vite. Megjithatë sot qëndrojmë para jush si fraksion dhe zotohemi se do të jemi zëri i pakontestueshëm i nevojave dhe kërkesave jo vetëm të elektoratit tonë por të gjithë shqiptarëve e këtë zë dhe zotim tonin nuk e heshtim me asnjë kusht”- deklaroi Visar Ganiu, fraksioni BDI.

Në lidhje me informacionet se “Grupi i Zjarrit” rrezikon të përjashtohet nga organet e partisë nga ana e kreut të partisë Ali Ahmeti, Bexheti tha se zgjedhja e tyre në funksionet partiake është bërë në bazë të statutit të partisë, respektivisht nga Këshilli i Përgjithshëm.

“Pikënisja e pakënaqësive është mu nga ne, në mungesë të respektimit të statutit dhe nëse është ajo qasje, ajo është vetëm manifestim force dhe nuk do të ishte racionale në aspekt politik që të vijë deri aty, pasi që të debatohet për çështje të statutit, edhe pse në fund të fundit është e drejtë e tyre çka do të veprojnë si do të veprojnë. Në aspekt juridik, këtu ka organe të BDI-së, Këshill Mbikëqyrës, që duhet ta mbikëqyrin çdo veprim të organeve partiake dhe të shqyrtohet.”- tha Blerim Bexheti, fraksioni BDI.

Sipas Izet Mexhitit, vetë Ahmeti në të kaluarën disa herë ju ka kërkuar që të ndahen si fraksion, për këtë arsye shton se tash nuk e ka të qartë se përse qenka jostatutare formimi i fraksionit në parti. Mexhiti theksoi gjithashtu se do të angazhohen si fraksion që të hiqet 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta.

“Sa i përket 20%-shit ka pasur deklaratë publike edhe të z. Ahmeti që kur të hapet kushtetuta të hiqet, sepse është nënçmuese për shqiptarët. Nuk di për cilën arsye para disa ditëve Bujari cilin e ka konsultuar. Në kryesi qendrore nuk është debatuar, kur thotë se duhet të vijë moment tjetër, kur të hapet kushtetuta, por kushtetuta nuk hapet çdo ditë, sepse për atë duhen 80 deputetë. Vlerësojmë se kësaj radhe përveç që i kontribuojmë integrimet, futjes së bullgarëve, të shfrytëzojmë këtë rastin të hiqet një padrejtësi ndaj shqiptarëve” – pohoi Izet Mexhiti, fraksioni BD.

Në konferencën për media, fraksioni i BDI-së shprehi pakënaqësi për zbatimin në praktikë të gjuhës shqipe, kërkojnë që të rregullohet me ligj statusi i dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, diaspora të ketë të drejtë për vote në mënyrë elektronike, ndërsa kazinotë të largohen jashtë vendbanimeve.