Këshilli Mbikëqyrës i BDI-së u mblodh në selinë në Reçicë të Vogël.
“Është një mbledhje e Këshillit mbikëqyrës, do debatojmë për mbledhje punët.
-A është e vërtet se sot do të diskutohet për shkarkimin e Grupit të zjarrit?
-Nuk e di, do e shohim, ka filluar mbledhja apo jo?
-Po në orën 13.”, tha Bekim Neziri nga BDI.
Asnjë informacion zyrtar nuk u kumtua nga BDI-ja për zhvillimet në këtë mbledhje.
TV21 nga burime të tij mëson se mbledhjen e Këshillit e ka drejtuar Ali Ahmeti, e ndonëse kryetar është Musa Xhaferi, ai nuk ka qenë prezent, por vetëm anëtarët e Këshillit. Ahmeti nga ky organ është informuar për shkeljet statutore të partisë që janë bërë nga “Grupi i Zjarrit”. Si rrjedhojë, sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, në bazë të këtij raporti të Këshillit Mbikëqyrës, Ahmeti do të nis procesin e shkarkimit të të pakënaqurve në BDI, përkatësisht “Grupin e Zjarrit”. Mbetet të shihet se si do të rrjedhë ky procesi për të cilin do të vendosë Ahmeti, por me sa duket “Grupi i zjarrit” po e pret një vendim të tillë, andaj mësohet se ka shumë gjasa që të dalë me subjekt të ri politik.
Nga ana tjetër, krahas kësaj, në selinë e partisë sot shkuan edhe anëtarë të degës së Sarajit të cilët ishin thirrur nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Është folur për zgjedhjet në degë, por bashkë me ta nuk u pa kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit”. I pyetur për këtë, deputeti i kësaj zone Arben Zyberi tha se kryetari Ahmeti i ka ftuar të gjithë dhe se është vendim personal i secilit për shkuarjen ose jo në takim.
“Në mbledhjen sotme nga dega Sarajit kanë marrë pjesë funksionarë, ish-funksionarë, unë si deputet, zëvendësministri.
-Pse nuk ishte Blerim Bexheti, është shkarkuar?
-Jo nuk behët fjalë për shkarkim, ka pas ftesë për çdo anëtar të degës edhe kush ka marr pjesë edhe kush nuk ka marr është vendim personal”, u shpreh Zyberi.
BDI për të shtunën ka caktuar mbledhjen e radhës së Kryesisë së partisë, për të cilën është paralajmëruar se do të ketë hapësirë të dëgjohen edhe pakënaqësitë e anëtarëve, ndërsa sa i përket llogaridhënies, kryetari Ahmeti theksoi se kjo temë është diskutuar disa herë deri më tani, ndërsa zëdhënësi Osmani deklaroi se kjo është çështje e mbyllur.