Qyteti i Shkupit ka emëruar drejtorët e rinj nëpër ndërmarrjet publike.
Në mesin e 5 emrave të rinj, në sy bie dy emra që janë nga radhët e BDI-së, por që kanë afërsi me figurat e atë ashtuquajturit “grupi i zjarrit”.
Said Saidi i cili është emëruar drejtor në NP “Rrugë dhe rrugica”, sipas fotove publike në profilin e tij në Facebook-ut, vjen nga dega e BDI-së në Çairit, gjë që e dëshmon edhe kjo pamje me aktivistë nga shtabi zgjedhor “Teli” në Çair.
Nga ana tjetër, Zuhejr Rexhepit është emëruar drejtor në NP “Parqe dhe gjelbërime”. Ai vjen nga dega e BDI-së në Saraj, ndërsa në fotot publike në Facebookun e tij ka foto të përbashkët me pjesëtarët të të pakënaqurve në BDI – Musa Xhaferin dhe Blerim Bexhetin. Përndryshe drejtori i ri Rexhepi është i biri i ish kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Në komunikatën e dërguar me shkrim, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, u ka kërkuar drejtorëve të rinj të jenë të kujdesshëm me punësimet dhe menaxhimin e krizës.
“Ushtruesit e detyrës drejtorë do të kenë obligim dhe përgjegjësi që në 6 muajt e ardhshëm t’i zbatojnë reformat e nevojshme, me qëllim të konsolidimit të ndërmarrjeve si nga aspekti i ballafaqimit me krizën energjetike dhe ekonomike. Obligimet do të jenë në drejtim të optimizimit të mjeteve dhe proceseve në uljen e shpenzimeve dhe shkurtimin e të gjitha shpenzimeve të panevojshme, si dhe zbatimin e reformës në segmentin e punësimit në ndërmarrje me të cilën nuk do të lejohet persona që nuk shkojnë në punë ose nuk kryejnë detyrat e punës të paguhen me mjetet e buxhetit.”- thonë nga Qyteti i Shkupit.
Tre drejtorët e tjerë të rinj që u emëruan sot janë edhe Radmilla Pesheva në NP “Lajka”, Kërste Petrevski në “Parkingjet”, kurse në “Drislla” drejtor është emëruar Aleksandar Kuzinakova. Me udhëheqjen e “Higjienes komunale” do të vazhdojë drejtoresha Kosana Mazneva, me Ndërmarrjn e për Qarkullim Publik, Aleksandar Stojkovski ndërsa me “Ujësjellin” Marjan Mitevski.
