Gruevski përsëri temë në Çair, Osmani: Nuk ka ndodhur takim i tillë! Koxhaxhiku: Osmani e tha me gojën e vet tërthorazi

TË FUNDIT

VLEN vazhdon ta akuzojë Bujar Osmani se është takuar me Nikolla Gruevskin. Deputetja Merita Koxhaxhiku tha se Osmani e pranoi me gojën e vet se ka pasur takime ish kryeministrin në Budapest dhe pyeti se prej kur takimet e një ministri të jashtëm me persona që janë në listën e zezë amerikane janë të klasifikuara si sekret shtetëror!?

“Ai publikisht refuzoi të mohojë – pra, në mënyrë të tërthortë pranoi – se është takuar me Nikolla Gruevski, një i arratisur dhe person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është dëshmia më e qartë që BDI nuk është një parti e reformuar, por një grup interesash që manipulojnë me ndjenjat kombëtare dhe aspiratat evropiane të popullit shqiptar për interesa të ngushta personale dhe partiake. Pyetje deri te Bujar Osmani: Prej kur takimet e një ministri të jashtëm me persona që janë në listën e zezë amerikane janë të klasifikuara si sekret shtetëror? – tha Merita Koxhaxhiku nga VLEN.

Dje kandidati për komunën e Çairit Bujar Osmani, tha se kjo temë po bëhet në kuadër të fushatës, ndërsa shtoi se edhe nëse ka pasur takim ka qenë në cilësinë e ministri të jashtëm.

“Takimet e ministrit të jashtëm janë takime të klasifikuara dhe me ligj nuk mund të paraqiten edhe pse për këtë çështje kam folur se është pjesë e fushatës së tyre por edhe po të kishte pasur diçka të tillë do të ishte në kuadër të funksionit të ministrit të jashtëm dhe ato janë informacione të klasifikuara”, u shpreh Bujar Osmani – kandidat për kryetar të Komunës së Çarit nga AKI.

Derisa Osmani këto akuza po i konsideron shpifje të fushatës, Mexhiti tha se ka fakte dhe se do t’i publikojë kur të vijë koha.