Gruevski i vogël dhe Frojdi?! Retorika e Kovaçevskit dhe Mickoskit kaloi në kualifikime personale

TË FUNDIT

Gruevski i vogël apo Frojdi? Kush ka probleme të Frojdit apo gastroenterohepatologjike. Cili ia ktheu më shumë tjetrit në përplasjen verbale mes oponentëve të inatosur Mickoski dhe Kovaçevski, betejë që tani më ka kaluar në kualifikime personale. Është mbresëlënës fjalori i të dy oponentëve politikë, njëri kryeministër, tjetri kryetar i partisë më të madhe opozitare, që herë pas herë ngjan me një duel komik, por në thelb lejuan që niveli i komunikimit të bjerë shumë poshtë. E fundit është nga kryeministri, i cili dje i është përgjigjur Mickoskit, i cili ka thënë se Frojd ndikon te Kovaçevski.

“E pashë deklaratën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së. Dëshiroj t’i përgjigjem për pjesën e parë të deklaratës së tij, ku ai përmendi autorë nga sfera e psikoterapisë. Vlerësoj se problemet në RMV janë shumë pak nga natyra e psikoterapisë, përkatësisht ata më shumë janë të natyrës gastroenterohepatologjike”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Përgjigja e Kovaçevskit vijoi vetëm pas disa orë pasi dje edhe Mickoski kishte deklaratë të ngjashme, përkatësisht kualifikim për kryeministrin. Për hir të së vërtetës edhe deklarata e shefit të partisë opozitare, në fakt ishte përgjigje për atë që paraprakisht e tha Kovaçevski, se ka Gruevski të vogël dhe të madh, që udhëheq me VMRO-DPMNE-në.

“E dëgjova atë deklaratë dhe duhet të them se Frojdi ka ndikuar z. Kovaçevski. Ndoshta ai ka frustrim personal nga gjëra të vogla dhe për shkak të kësaj ai krahasohet me ato gjëra të vogla. Unë do ta këshilloja që ato gjëra të vogla që mendoj se e frustrojnë, nuk duhet ta frustrojnë, ai duhet të shikojë anën pozitive të kësaj, sepse do të jetë aty ku është edhe pak”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski dhe Kovaçevski nuk u pajtuan nëse duhet të ketë takim liderësh. Njëri beson se takimi është i nevojshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, tjetri thotë se nëse diskutojmë për hyrjen në BE, atëherë mundet.

“Deshi apo jo Kovaçevski, zgjedhje do të ketë. Deri më tani, në këto më shumë se 3 dekada, nuk ka ndodhur që të mos ketë takim liderësh në të cilën do të dakordohen datat për ato zgjedhje. Nuk ka ndodhur që të mos ketë bisedime në të cilat do të përcaktohet Kodi Zgjedhor sepse ka rekomandime nga OSBE/ODIHR. Nëse ai mendon se nuk duhet diskutuar, mirë, është përgjegjësia e tij”, shtoi Mickoski.

“Sa i përket mbajtjes së takimeve të liderëve, ne kishim takim liderësh, mund ta kemi sërish, ku normalisht do të marrin pjesë të gjithë liderët sepse vendimet për zgjedhjet merren me konsensus. Por, kjo çështje tashmë është zgjidhur duke pasur parasysh se kemi një proces më të rëndësishëm në vend, e ai është sjellja e vendimeve për vazhdimin e rrugës së integrimit europian të vendit”, tha Kovaçevski.

Aktualisht nuk ka marrëveshje nëse zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare mund të mbahen së bashku në pranverë.