Koalicioni mes VMRO-DPMNE-së dhe Aleanca-Alternativa është jo tipik dhe në rrjetet sociale e quajnë “Koalicioni 27”. Këtë e deklaroi zv/kryeministri i parë Artan Grubi në pyetjen se çfarë fushatë pret për zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tij, bëhet fjalë për një koalicion jo të zakonshëm duke aluduar në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.
“Mezi pres ta shoh ditën kur të gjithë votuesit e Aleancës me plot zemrën e tyre, me entuziazëm dhe me gjithë dashurinë e tyre, do të votojnë për VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe Hristijan Mickoskit dhe anasjelltas. Të gjithë këta patriotë të VMRO-DPMNE-së, të gjithë ata që hynë më 27 prill në Kuvend, të gjithë ata që e përkrahin Shkupin 2014, do të votojnë me zemër të plotë për Ziadin Selën dhe Aleancën për Shqiptarët. Mezi pres ta shoh 17 tetorin”, deklaroi Artan Grubi.
Opozitarja VMRO-DPMNE u kundërpërgjigj. Në LSDM dhe BDI ekziston frikë nga zgjerimi i opozitës. Njëkohësisht e rikujtojnë Grubin se paraprakisht ai ishte shumë i afërt me VMRO-DPMNE-në dhe se është i njohur pas transformimeve të tij të shpeshta.
“I mbajmë mend me buzëqeshje ditët kur Artan Grubi çdo ditë ishte pjesë e enterierit të selisë së VMRO-DPMNE-së, ndërsa gjatë vizitave të këtilla nuk mundej ta fshinte admirimin e tij. Njëkohësisht Artan Grubi ishte një prej deputetëve më të shpejtë për ta shtypur butonin për të votuar qeveritë e VMRO-DPMNE-së. Zëdhënësi më i mirë i LSDM-së për momentin është Artan Grubi”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Reaguan nga opozita shqiptare duke e pyetur Zaevin se si kanë gjetur logjikë në përkrahjen e kandidatëve për kryetarë komunash nga radhët e BDI-së.
“I bëjmë me dije se ne nuk jemi BDI dhe se nuk mund ai të na dirigjojë as veprimet politke dhe as kandidaturat ose bashkëpunimet. Në veprimet dhe deklaratat tuaja ka vetëm një logjikë, krimi, korrupsioni dhe ruajtja e kolltukëve nga drejtësia”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Përndryshe, nesër në Kryesinë Qendrore të BDI-së që do të mbahet në Gostivar, kryetari i partisë Ali Ahmeti do të prezantojë 18 kandidatë për kryetarë komunash.
