Pas pothuajse tre javëve humbje mësimi, nxënësit u rikthyen në bankat shkollore. Jo sepse SASHK-u dhe Qeveria arritën marrëveshje, por sepse këtë e kërkoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, bazuar në Ligjin për zgjidhje të qetë të çështjeve të punës.
Këtë vendim të kryesisë së SAShK-ut nuk e mbështesin anëtarë të shumtë të kësaj sindikate. Qindra grevistë u mblodhën dje para zyrës së Nedellkovit për të shprehur pakënaqësinë. Thanë se ai nuk është konsultuar me ta. Por kreu i SAShK-ut vlerëson se vendimi dje është transmetuar në forma të gabuara, ndërsa siguroi se janë të sinqertë dhe punojnë sipas ligjit. E për të qenë më bindës për këtë me vete kishte marrë edhe avokatë të cilët mbështetën deklaratën e tij.
Për shkak se SASHK është transparent dhe duam që të gjithë atyre që nuk besojnë në sinqeritetin e punës sonë, gjithë ata anëtarë që dyshojnë në punën tonë, ja avokatët të tregojnë për ta dhe opinionin, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.
Përndryshe mësimi në shkolla është zhvilluar pjesërisht ngaqë jo të gjithë nxënësit janë paraqitur në mësim.
Ka filluar mësimi dhe të gjithë punëtorët kanë qenë në vendet e punës mirëpo është vërejtur numër i vogël i nxënësve të cilët sot kanë ardhur të marrin pjesë, tha Sevdije Mustafai nga ShPMK Gjoce Stojçeski.
E njëjta situatë edhe në shkollën fillore “Bratstvo – Migjeni” në Tetovë.
Sot mësimi ka filluar normalisht si çdo ditë punë, numri i nxënësve nuk është 100% por shpresoj që të martën do t’i kemi të gjithë nxënësit në shkollë, tha Riza Etemi – Sh.F. “Bratstvo Migjeni”-Tetovë.
Pyetëm në MASh nëse kanë të dhëna se sa nxënës dhe arsimtarë kanë munguar sot, por nuk morëm përgjigje. Ndryshe greva e cila kishte nisur nga 11 prilli është ndërprerë për 10 ditët e ardhshme. Në ndërkohë palët do të realizojnë takime për gjetjen e një zgjidhjeje. SAShK-u nuk pranoi ofertën e fundit nga Ministria e Arsimit për rritje të pagave për 12%, ata kërkojnë rritje prej 18,4% dhe harmonizim të rrogave të tjera me rrogën minimale.
