Në ditën e katërt të grevës së përgjithshme në arsim, ministri Jeton Shaqiri ftoi mësimdhënësit që ta ndërpresin grevën dhe të kthehen në mësim. Prioritet është rikthimi i nxënësve në shkollë thotë Shaqiri, duke premtuar se rritje të pagave do të ketë, por nuk zbuloi se sa do të jetë e njëjta.
“Bëhet fjalë për dinjitet dhe ne duhet ta vlerësojmë dhe punën e gjithë mësimdhënësve, nëse e kthejmë këtë vlerë dhe këtë situatë në numër dhe ta lidhim me atë numër jemi dakord ose jo, përsëri vazhdon greva dhe përsëri nuk ka mësim deri sa të arrijmë te një numër. Ky proces duhet të mirëkuptohet, mësim duhet të ketë, do të arrijmë dhe do të japim edhe atë numër, por nuk duam që ky proces të kushtëzojë nxënësit”.
Greva po vazhdon edhe në kopshte. Ministrja Jovanka Trençevska bën të ditur se në grevë janë 50 objekte, por se fëmijët po pranohen dhe janë nën përkujdesje. Thotë se dialogu po vazhdon dhe do të sjellin vendimin e duhur sikurse për pagat edhe kërkesat tjetra.
“45% e personelit mësimor në kopshte janë në grevë, ndërsa të tjerat përkujdesen për fëmijët, pothuajse të gjitha çerdhet funksionojnë normalisht, domethënë nuk ka çerdhe të mbyllur. Përfshirja e fëmijëve nga dita në ditë është më e madhe, gjegjësisht përkëdhelëset i pranojnë të gjithë fëmijët që sillen nga prindërit e tyre në çerdhe”.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Jakim Nedellkov akuzon Ministren e Punës dhe Politikës Sociale për presione ndaj grevistëve në çerdhet e fëmijëve, thotë se të punësuarit marrin vazhdimisht kërcënime të ashpra. Për mundësinë e ndërprerjes së grevës, siç kërkohet nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Nedellkov theksoi se është vendim i anëtarësisë kur të marrin propozim për rritje të pagave.
“Të mos u lejohet për gjatë grevës tetë orëshe që të shkojnë në tualet kur të duan, ose për mëngjes ose të dalin në ajër të pastër, grave shtatzëna të mos u lejohet të hanë mëngjes e të dalin në ajër të pastër, kjo është johumane. Duhet ta informojmë opinionin se në këtë formë nuk ndërtohet besim dhe nuk ka zgjidhje”.
Rreth 25 mijë mësimdhënës, kujdestare dhe të punësuar në çerdhe në tërë vendin, për katër ditë nuk po mbajnë mësim, kërkojnë nga qeveria rritje të pagave.
