Në një moment tepër delikat për Greqinë, që po përpiqet të arrijë sa më shpejt një marrëveshje me huadhënësit, për të marrë ndihmat financiare pasi arkat e shtetit janë pothuajse bosh, kryeministri grek, Aleksis Cipras në intervistën e tij të parë televizive pas ardhjes në pushtet, ka lënë të hapur mundësinë që të kërkojë vendimin e popullit, jo nëpërmjet zgjedhjeve, por me anë të një referendumi popullor.
Duke shprehur besimin se gjërat nuk do të arrijnë në atë pikë dhe se do të arrihet një kompromisi i ndershëm, Cipras ka nënvizuar se në rast se marrëveshja me kreditorët kapërcen kufijtë e mandatit popullor që e solli në pushtet, ai nuk do ta shkelë vullnetin e sovranit.
Cipras tha se vendimi i popullit e kufizon atë dhe shtoi se nëse vjen në përfundim se marrëveshja është jashtë këtyre kufijve dhe nëse ai nuk ka më se ku të mbështetet, atëherë do të kërkojë vendimin e popullit.
Qeveria greke po vazhdon ende negociatat me kreditorët e saj, sepse nuk po pranon disa prej kushteve të tyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punësimit, reduktimin e pagave dhe pensioneve dhe rritjen e tatimit në vlerën e shtuar, ndërkohë se duket që është arritur pajtimi për procesin e privatizimit./21 Media/
