Greqi, shkurtime për pagat e ministrave dhe të deputetëve

TË FUNDIT

Qeveria e Greqisë ka vendosur të shkurtojë pagat e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të sektorit publik dhe rritjen e taksave për pagat e deputetëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka theksuar se ky vendim i qeverisë është “simbolik”, por edhe do të sjellë të ardhura në ekonomi. Tsipras ka njoftuar se me këtë projektligj të përgatitur për këtë çështje do të ulen pagat e ministrave dhe do të taksohen të gjithë pagat e deputetëve.

Sipas informacioneve të marra ligji i ri parashikon uljen me në masën me 15 përqind të pagave të ministrave dhe të zyrtarëve të lartë të sektorit publik. Me ligjin e ri gjithashtu do të përcaktohen që të ardhurat e zyrtarëve të sektorit publik së bashku me pagesat shtesë të mos kalojnë pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Ndërsa pagat dhe të gjitha shtesat që vijnë nga komisionet për deputetët do të taksohen të gjitha, ku sipas kësaj pagat e deputetëve do të reduktohen me të paktën 20 për qind.
Deputetë në Greqi kanë një pagë prej 5 mijë e 700 eurosh, ku së bashku me shpenzimet e tjera si zyra, shërbime postare, etj në vartësi të zonës ata marrin shtesë edhe 2 mijë e 500 euro e cila së bashku me këtë shkon në total me një pagë 8 mijë e 200 euro. Deputetët gjithashtu për çdo komision që marrin pjesë paguhen me 75 euro të pa taksuara. Deputetët gjithashtu kanë edhe disa përfitime të tjera si të drejtën për punësimin e tre këshilltarëve ekspertë në zyrat politike me një pagë prej 2 mijë eurosh, të cilat paguhen nga shteti si dhe përfitime me ulje të veçanta në transportin publik.