VLEN: Dokumenti rrëzon propagandën e BDI-së për “botën serbe”! Osmani: Komunikata shpreh qëndrimin e Beogradit

TË FUNDIT

Polemikat mes VLEN-it dhe BDI-së janë intensifikuar pasi VLEN publikoi një komunikatë të Presidencës së Serbisë nga një takim i presidentit Aleksandar Vuçiq me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke pretenduar se dokumenti “fundos propagandën e BDI-së për ‘botën serbe'”.

Në reagimin e saj, VLEN tha se komunikata zyrtare serbe dëshmon se një nga temat e diskutimit në takimin Vuçiq-Osmani ka qenë edhe “avancimi i pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut”.

“Për ditë me radhë, BDI ka ngritur akuza të pabaza ndaj nesh, duke tentuar të na etiketojë me narrativën e rreme të ‘botës serbe’. Por propaganda zbehet në momentin kur përballet me dokumentet zyrtare”, thuhet në reagimin e VLEN.

Sipas partisë në pushtet, dokumenti tregon se gjatë viteve në pushtet, BDI “asnjëherë nuk e pati prioritet çështjen shqiptare”.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se VLEN po i paraqet takimet zyrtare diplomatike si përcaktime politike.

“Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh. Diplomacia ekziston pikërisht për t’u takuar me ata me të cilët nuk pajtohesh, për të mbrojtur interesat e shtetit tënd dhe për të avancuar pozicionet e tij”, deklaroi Osmani.

Ai shtoi se komunikata e publikuar nga VLEN është një komunikatë e Presidencës së Serbisë, e cila, sipas tij, shpreh qëndrimet dhe prioritetet e Serbisë, e jo të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Takimet diplomatike janë detyrim kushtetues. Bashkëqeverisja është zgjedhje politike. Këto janë dy gjëra që VLEN ose nuk arrin t’i dallojë, ose po shtiret se nuk i dallon”, theksoi Osmani.

Në reagimin e tij, ai shtoi se do të vazhdonte të takohej me çdo homolog në kuadër të detyrës së ministrit të Jashtëm, por, sipas tij, “kurrë nuk do të zgjidhja të bashkëqeverisja me ata që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë apo cenojnë të drejtat e shqiptarëve”.