Në dyqanet për shitje me pakicë, në dyqanet për ushqim siç janë furrat, mishtoret, ëmbëltoret dhe ngjashëm, në supermarkete, në banka, në shërbime publike që punojnë me palë, në sallone të ondulimit dhe të kozmetikës, në transport publik dhe taksi, në ashensorë, në spitale, ordinanca dhe qendra diagnostike në Greqi, prej sot obligohet mbajtja e maskave si për qytetarët, ashtu edhe për të punësuarit, me vendim të Qeverisë greke, ndërsa sipas rekomandimit të ekspertëve, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Për shkelje të masës është parashikuar gjobë në para prej 150 euro.
Në të gjitha hapësirat tjera të mbyllura, por edhe në vende të hapura ku ka rëmujë dhe nuk mund të mbahet distancë, ekziston rekomandim i fuqishëm të përdoret maska.
Në kisha dhe objekte religjioze, edhe pse ishte paralajmëruar se mund të vendoset, megjithatë mbajtja e maskës nuk është e obligueshme, por ekziston vetëm rekomandim, ndërsa zëvendësministri për mbrojtje civile i Greqisë Nikos Hardalas në pres konferencën e mbrëmshme tha se shumica e kishave i respektojnë masat parandaluese.
Qeveria greke përmes rrjeteve sociale i publikoi rregullat në lidhje me atë ku prej sot është e obligueshme mbajtja e maskës.
Organizata kombëtare për shëndet publik e Greqisë dje kumtoi për 52 raste të reja me Kovid-19, shifër më e madhe në krahasim me ditët e fundit, kur mesatarja e rasteve pozitive ditore të koronavirusit ishte rreth 30 persona të infektuar.
Brengë të veçantë te epidemiologët grek shkaktoi numri i rritur i rasteve pozitive në mjediset e mëdha urbane siç janë Selaniku dhe Athina.
Sipas të dhënave të cilat dje i kumtoi zëvendësministri për mbrojtje civile të Greqisë, në vend, duke e përfshirë edhe 26 korrikun e vitit 2020, prej 4.193 raste të regjistruara, 429 janë aktive.
Vetëm në Athinë aktive janë 145 raste prej të cilave 36 janë hospitalizuar, ndërsa 109 janë në vetizolim.
“Për këto 145 raste aktive të cilat në këtë moment i kemi në Atikë, kemi edhe rreth 596 persona të cilët si kontakte të afërta, nëse nga rreziku i lartë ose i ulët janë vënë në izolim”, sqaroi Hardalas.
Në Selanik aktive janë 66 raste, prej të cilëve tetë janë në shërim, ndërsa 58 të tjerë në vetizolim./MIA
