I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Riçard Grenell sot do të qëndrojë në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi ekzekutiv Korporatës ndërkombëtare të SHBA-së për zhvillim financiar, Adam Boeler dhe nga shefja e Bankës për eksport-import, Kimberli Rid.
Delegacioni përveç Prishtinës, do të qëndrojë edhe në Athinë, Beograd dhe Jerusalem.
Korporata ndërkombëtare e SHBA-së për zhvillim financiar, paralajmëron hapjen e zyrës së parë në rajon duke vendosur një prani të përhershme në Beograd që do të lehtësojë zbatimin e projekteve me përparësi si Autostrada e Paqes, që do të mbështesin hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik në rajon.
Korporata dhe Banka për eksport-import, nënshkruan gjatë kësaj jave letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, ndërmjet të dyja vendeve, pas çka pasoi dakordimi i Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Ambasadori Grenell shkroi në rrjetin twitter se “zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi është përparësi e administratës Tramp”.
Vizita e delegacionit në katër vende pason “Marrëveshjet e Abrahamit”, për normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin.
Pjesë e dakordimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ishte edhe pajtimi ndërmjet Izraelit dhe Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. mb
