Gratë në sport ende nuk janë të përfaqësuara sa duhet në pozita udhëheqëse. Vetëm 13 për qind e federatave sportive udhëhiqen nga gra, ndërsa vetëm 17 për qind e pozitave të sekretarit të përgjithshëm mbahen nga gra. Aleksandra Saveska nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, duke u mbështetur në rezultatet e hulumtimit të realizuar, thekson se ekziston edhe një diskriminim i madh në ndarjen e financave. Sipas saj, edhe kur përfaqësueset e meshkujve dhe të femrave arrijnë rezultate të njëjta, mjetet financiare në shumicën e rasteve ndahen për sportet e meshkujve. Ndërkohë, sportistet që kanë marrë pjesë në pyetësor vlerësojnë se dhuna dhe shqetësimet në sport janë të shpeshta, ndërsa vetëm 10 për qind e tyre mendojnë se këto dukuri nuk ndodhin.
“Dhuna psikologjike është më e theksuar dhe më e normalizuar në sport. Të gjitha momentet shqetësuese, agresive, ofendime, kërcënime, si dhe margjinalizimi nga aktivitete sportive, stërvitjet – e gjitha kjo është dhunë psikologjike, mirëpo gratë sportiste nuk kanë si ta njohin dhe e vendosin në kategorinë e normalizimit, pra e lidhin me disiplinën sportive”, tha Aleksandra Saveska – Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar.
Shumica e federatave sportive ende nuk kanë mekanizma formalë mbrojtës, veçanërisht për dhunën në bazë gjinore, për parandalimin dhe identifikimin e saj në sport, thotë Silvija Mitevska nga organizata Sport Social Solutions.
“Mekanizmat mbrojtës duhet të lidhen me financimin shtetëror dhe duke ndjekur shembullin e shteteve të tjera evropiane dhe praktikat e mira, mund të kërkohet nga federatat e sportit fillimisht të kenë politika për përfaqësim gjinor, me përfaqësim minimum 40% të grave në të gjitha strukturat udhëheqëse në federatat e sportit. Të kërkohet edhe të integrohen të gjitha mekanizmat për mbrojtje dhe paraqitje të dhunës në bazë gjinore”, u shpreh Silvija Mitevska nga Organizata sportive SSS.
Konferenca “Lojë fer, barazi dhe tolerancë zero ndaj dhunës në bazë gjinore në sport”, e organizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut, është pjesë e një hulumtimi që trajton përfshirjen e grave në pozita vendimmarrëse në organizatat sportive, si dhe dhunën në bazë gjinore në sport.
