Gostivari nën alarm për ujin e pijshëm! Hetime pas dyshimeve për ndotje të ujësjellësit

TË FUNDIT

Numër i madh i qytetarëve të Gostivarit ditëve të fundit janë paraqitur në spital për shkak të shqetësimeve me stomakun.

-Çfarë simptoma ke?

-Si të tregova, barku. Jashtëqitje ka shumë.

-Ishte para disa ditëve, na thonë se është në rregull, unë edhe kam pyetur atje, mirë është uji! Por sa është mirë ne nuk e dimë si qytetarë.

-Prej kur i ka shoqja këto simptoma?

4,5 ditë.

-Ne përdorim ujë të blerë.

-Domethënë nuk është prej ujit?

-Nuk besoj, por simptomat janë të njëjta, por nuk e di se çfarë mund të kishte pirë, ndoshta ndonjë limonadë.

Simptomat e përgjithshme temperaturë, diarre, të vjella dhe plogështi. Dyshimet janë se këto u vijnë nga uji i helmuar. Por drejtori i spitalit të Gostivarit, Emri Bajrami, thotë se fluksi i shtuar në spital – rreth 1100 në tre ditët e fundit – mund të jetë për shkak të ndonjë ushqimi.

“Ne mendojmë se mund të jetë lloj të ndryshme të ushqimeve, temperaturat e larta, virozë sezonale.

-Si është numri i pacientëve, janë të gjithë të qytetit?

-Nuk kemi të dhëna, por zakonisht më tepër të qytetit sepse ato e përdorin ushqimin më tepër në restorante, nëpër ushqime të shpejta. Nuk kemi informacione por si profesionist mendoj se këto janë shkaqet kryesore”, tha Emri Bajrami, drejtor i Spitalit “Ferid Murad” në Gostivar.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kumtoi se ka nxjerrë ndalesë për përdorimin e ujit nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit për shkak të dyshimit të bazuar se ai është i ndotur dhe i pasigurt për përdorim.

AGJENCIA PËR USHQIM DHE VETERINARI:

“Gjatë mbikëqyrjes është konstatuar se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, në mënyrë të paligjshme dhe pa leje, është vendosur një pompë e cila drejtpërdrejt injekton ujë nga lumi Vardar në këtë sistem të furnizimit me ujë. Nga ana e ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët ishin të pranishëm gjatë mbikëqyrjes, janë marrë mostra të ujit për testim laboratorik, me qëllim përcaktimin e sigurisë së tij. Për të parandaluar një rrezik më të madh për banorët e këtij rajoni, AUV-ja ka nxjerrë ndalesë të përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm deri në marrjen e rezultateve nga testimi laboratorik, me të cilat do të konfirmohet siguria e tij.”

Sa u përket dyshimeve se ose ka ardhur deri te kjo gjendje, në të njëjtën linjë është edhe Ministria e Brendshme.

“Ekzistojnë baza dyshimi se NP “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin. Ky aktivitet me sa duket është ndërmarrë me qëllim të rritjes së presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, me çka rrezikohet drejtpërdrejt shëndeti i qytetarëve të Gostivarit”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Po nga drejtoresha e Ndërmarrjes Publike Komunale, Artana Asani, mohon se është lëshuar ujë në rezervuar nga ujërat e zeza. Sipas saj, vetëm një herë është përdorur për stimulim nga burimi i Vrutokut.

“Ka pasur njoftim kur është bërë stimulacioni, uji prej kanalit nuk është përdorur për pije, vetëm një stimulacion është bërë se a do të funksionojë linja e re që lëshohet nga burimi i fshatit Vrutok.

-Drejtoreshë a mund të na sqaroni kur thoni prej kanalit çfarë kanali është ai? -Ujë teknik. -Nuk janë ujëra të zeza? Jo nuk janë ujëra të zeza”, pohoi Artana Asani, Ndërmarrja Publike Komunale – Gostivar .

Asani theksoi se janë duke bërë punime për rrjetin e një ujësjellësi të ri nga burimi i fshatit Vrutok në gjatësi prej 1 km ku pret që së shpejti të përfundojë dhe të rritet sasia e ujit.

Përveç policisë, në zbardhjen e rastit është angazhuar edhe Prokuroria!

Përndryshe, ndotja e ujit të pijshëm është vepër e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal.