Goshev: Vendimi i BPRM-së është i drejtë! Bankën Eurostandard e kanë paralajmëruar disa herë

TË FUNDIT

Vendimi i Bankës Popullore është absolutisht i pastër dhe i drejtë, sepse Banka Eurostandard ka ardhur në gjendje falimentimi, konsideron ish-guvernatori i BPRM-së, Petar Goshev. Ai për TV21 thotë se aksionerët dhe ekipi menxhues kanë bërë rreziqe më të mëdha se sa ishte lejuar, duke e ulur kapitalin nën minimumin ligjor, kurse Banka Popullore i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta përmirësuar këtë situatë.  

“Ligji thotë se kur një bankë vjen në gjendje falimentimi, kjo do të thotë se kapitali i saj është më i vogël se detyrimet e përgjithshme që i ka. Kur ajo bankë është e falimentuar, sipas Ligjit për Banka, ajo nuk mund të funksionojë. Kjo bankë e ka ulur kapitalin adekuat, në raport me mjetet aktive të bankës. Kjo ka ardhur nën nivelin ligjor, nuk janë gjetur investitorë për ta blerë bankën, aksionarët e përhershëm nuk kanë pasur forcë që ta shtojnë kapitalin të cilin e kërkon Ligji për Banka. Kështu që Banka Popullore nuk ka pasur alternativë tjetër, përveç se ta shqiptojë masën për marrje të lejes dhe ky është vendim i pastër”, deklaroi  Petar Goshev – ish-guvernator i BPRM-së.

Goshevi shpjegon se në Bankën Popullore ka dokumentacion i cili tregon qartë se ajo edhe më parë ka ndërmarrë masa rreth Bankës Eurostandard.

“Kështu funksionon Banka Popullore, e them këtë nga përvoja ime. Ajo ka ndërmarrë masa, ka paralajmëruar, ka bërë raporte, u ka kërkuar aksionarëve të ekipit menaxhues t’i korrigjojnë dobësitë në bankë. Ata nuk i kanë bërë të gjitha gjërat siç duhet, prandaj Banka Popullore duhej ta zbatonte ligjin. Nëse nuk do ta kishte zbatuar, ajo do të mbante përgjegjësi për moszbatimin e ligjit, kështu që nesër dikush mund të kërkonte procedurë për përgjegjësi kundër njerëzve të cilët nuk e kanë zbatuar ligjin”, shtoi Goshev.

Goshevi theksoi se edhe ministrja e Financave, Nina Angellovska e ka keqpërdorur pozitën dhe dy muaj më parë i ka tërhequr paratë e saj nga Banka Eurostandard. Për rastin me Eurostandard u prononcua edhe guvernatori i mëparshëm i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, i cili pajtohet me Goshevin se guvernatorja ka marrë vendim të drejtë sa i takon Bankës Eurostandard. Ai theksoi se sipas situatës në Bankën Eurostandard gjatë viteve të kaluara, është e qartë se Banka Popullore i ka shterur të gjitha mundësitë që i ka pasur në dispozicion për ta përmirësuar situatën në bankën në fjalë.