Trotinetët elektrikë kthehen në rrezik për fëmijët! Mjekët kërkojnë ndalim, policia rrit kontrollet në rrugë

TË FUNDIT

Mjeti i preferuar e momentit po kthehet në makthin e prindërve dhe mjekëve në Tetovë. Çdo javë, dyert e ortopedisë mbushen me fëmijë që pësojnë lëndime të rënda pas rënieve trotinetët elektrikë.

Mjeku Haris Karaxhenemi u bën thirrje prindërve që t’ua ndalojnë fëmijëve këto mjete, pasi pasojat mbi sistemin skeletor mund të jenë të pariparueshme për të ardhmen e tyre.

“Alarmant është numri i rasteve që paraqiten në ambulantën tonë, dhe është në rritje. Apelojmë prindërit dhe institucionet shtetërore që të bëjnë çmos për parandalimin e përdorimit të trotineteve nga fëmijët. Çdo javë kemi nga katër pesë raste lëndimesh të fëmijëve sidomos. Andaj edhe një herë të ndalohet përdorimi i trotineteve nga fëmijët. Disa nga këto lëndime shkaktohen edhe në zonat e rritjes së eshtrave mund të lënë pasoja për të ardhmen, deformitete gjatë zhvillimit apo rritjes së sistemit skeletor”, tha Haris Karaxhenemi.

Ky alarm ka vënë në lëvizje edhe Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë. Policia ka shtuar dukshëm masat e kontrollit jo vetëm për trotinetët, por edhe për motoçikletat që qarkullojnë pa rregulla. Vetëm gjatë ditës së djeshme në rajonin e Tetovës janë zbuluar dhjetëra shkelje, ku nuk kanë munguar as konfiskimet e mjeteve.

“SPB Tetovë dhe MPB ka rritur masat dhe aktivitetet kontrolluese, me qëllim zvogëlimin e numrit të shkeljeve që ndodhin dhe sanksionimin e drejtuesve që nuk respektojnë rregullat. Vetëm dje në rajonin e Tetovës, janë konstatuar gjithsej dhjetë shkelje, pra pesë për mos mbajtje helmete mbrojtëse, katër drejtim i pakujdeshshëm i automjetit dhe janë konfiskuar motoçikletat, si dhe është konstatuar edhe një shkelje për drejtim të automjetit me kategori të papërshtatshme”, tha Fatmir Rexhepi.

Bilanci total i aksioneve të fundit nga njësiti mobil kap shifrën e 71 masave të shqiptuara për kundërvajtje dhe vepra penale në trafik. Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet e rrepta do të jenë të vazhdueshme. Qëllimi është parandalimi i aksidenteve me pasoja fatale, përpara se trotinetet dhe motorët të marrin jetë njerëzish.