Goce Dellçev assesi të vijë në rend dite! Dimitar Lorovski, anëtar i ri i Komisionit maqedono-bullgar

TË FUNDIT

Historiani Dimitar Lorovskiu u ul në karrigen e Vanço Gjorgievit i cili para një viti në mënyrë demonstrative e braktisi komisionin me historianët bullgarë duke thënë se punon nën presion.

“Ministria e Punëve të Jashtme ia dorëzoi Qeverisës së RMV-së propozimin e Komisionit, prej ku e emëruan Dimitar Lorovskin si anëtar i Komisionit të përbashkët të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Lorovski u emërua si anëtar i ri i Komisionit sipas ekspertizës dhe rekomandimeve të Komisionit për mbulim adekuat të sferave të punës së tyre”, thonë nga MPJ e RMV-së.

Dimitar Lorovski është historian maqedonas dhe profesor i Institutit për histori kombëtare në Shkup. Fokusi i tij profesional është historia e Ballkanit në periudhën e pushtimit osman dhe lëvizjes revolucionare çlirimtare maqedonase. Propozimi për Dimitar Lorovskin vjen nga kryetari i Komisionit, Dragi Gjorgiev. Sot dhe nesër historianët e Maqedonisë dhe ata të Bullgarisë do të vazhdojnë me punë me shpresë se do të arrijnë rezultate konkrete. Edhe pse fokusi i bisedave është te figura e Goce Dellçevit, megjithatë duket e vështirë se brenda këtyre dy ditëve do të ketë epilog për këtë çështje.

“Në takimin e radhës po presim që të vazhdojmë me librat mësimorë për klasat e 7-ta në Maqedoninë e Veriut, me tema të historisë së mesjetës, nga shekulli 10-11. Kemi edhe çështje teknike për të vazhduar me protokollet e vjetra të komisionit. Vazhdojmë me diskutim për Goce Dellçevin si figurë e denjë për festim të përbashkët në të dy vendet.”, tha Naum Kaiçev, anëtar i Komisionit të Bullgarisë.

Pas protokollit të nënshkruar paraprakisht, në Bullgarinë tashmë filloi procesi ku para komisionit të arsimit prezantohen rezultatet e arritura në lidhje me ndryshimin e librave mësimorë që duhet bërë në të dy vendet.

“Të gjitha rezultatet nga puna e deritanishme të Komisionit të përbashkët për çështje historike, të aprovuara nga qeveritë e dy vendeve, krijojnë bazë të domosdoshme që institucionet e dy vendeve të vazhdojnë me zbatimin praktik të detyrave që i kanë marrë përsipër. Pala bullgare pret që hapa të këtillë të ndërmarrin edhe institucionet  përkatëse të partnerëve tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha MPJ e Bullgarisë.

Para një muaji, komisioni i publikoi rekomandimet e harmonizuara që në vitin 2019 për festimin e përbashkët të pesë figurave historike, vëllezërit Kirili dhe Metodi, Klimenti dhe Naumi si dhe car Samoili. U publikuan edhe rekomandimet për librat mësimorë për histori, për klasat e 5-ta në Bullari dhe klasat e 6-ta në Maqedoni.  Opinioni reagoi se këto ndryshime janë dështim për Maqedoninë, ndërsa ekipi i Dragi Gjorgievit mbrohej duke thënë se retorika ishte e zbrazët dhe e politizuar për gjoja bullgarizimin e Maqedonisë dhe maqedonasve.