Sipas shembullit të masave të shpallura në Francë dhe Gjermani nga e marta, në Greqi hynë në fuqi kufizime të reja, por jo në gjithë vendin, por në rajonet me pasqyrë të keqe epidemiologjike dhe numër të rritur të rasteve të reja.
Kryeministri grek Kirjakos Micotakis në porosinë e tij televizive për qytetarët për valën e dytë të pandemisë, sot i bëri të ditura masat e reja për mbrojtje të shëndetit publik, ndërsa në mini karantinë, një muaj hynë Greqia e Veriut dhe rajoni Atika, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Greqia, siç sqaroi Micotakis, tani është e ndarë në dy, në vend se katër zona siç ishte më parë.
Zona e parë është nën mbikëqyrje, ndërsa tjetra me rrezik të rritur.
Përveç orës policore nga mesnata deri në 5 të mëngjesit dhe maskës së obligueshme në vende të hapura dhe të mbyllura, 50 për qind punë nga shtëpia për sektorin shtetëror dhe privat, si dhe ligjërata onllajn për studentët, masa të cilat do të vlejnë për gjithë Greqinë, në rajonet me rrezik të rritur, po mbyllen kafenetë, restorantet, kinematë, teatrot, lokalitetet arkeologjike dhe muzetë, qendrat e fitnesit.
Të hapura do të jenë shitoret, sallonet e parukerisë, hotelet dhe shkollat, ndërsa nuk do të ndalohet lëvizje mes rajoneve.
Micotakis shfaqi shpresë se nëse masat nga plani për nëntorin sjellin rezultat pozitiv, atëherë në dhjetor do të mund të jetë situata më optimiste, ndërsa vendi të kthehet në kushte më normale.
Ministrat e Financave dhe të punës do ta prezantojnë planin për mbështetje ekonomike të punësuarve dhe bizneseve, përderisa zëvendësministri i Mbrojtjes Civile hollësisht do t’i sqarojë masat e reja të cilat hynë në fuqi të martën.
