Pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se reformat e kërkuara janë për rritjen e pagave dhe komentit ironik se edhe ai mund të dhurojë pagën e tij, erdhi reagimi nga gjyqtarët dhe prokurorët. Përmes një deklarate të përbashkët nga Këshilli Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Shoqata e Gjyqtarëve, ata thanë se komentet e tij për sferën e gjyqësorit janë poshtëruese, duke u përpjekur të kalojnë përgjegjësinë e situatës së përgjithshme të shtetit tek gjyqtarët. “Me komentet tuaja po dëmtoni parimin demokratik të pushtetit gjyqësor, që është një kategori kushtetuese, dhe Kushtetuta dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor duhet të respektohen,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Që një kohë të gjatë komentet tuaja për gjyqtarët dhe sistemin gjyqësor kanë kaluar kufijtë e sjelljes së mirë dhe janë shndërruar në sulme të pabazuara dhe të përgjithshme. Raporti i fundit i Komisionit Evropian thekson qartë se problemi më i madh në sistemin gjyqësor është pavarësia e gjyqtarëve, e cila dëmtohet nga ndërhyrja e vazhdueshme e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Si problem kyç është theksuar edhe varësia financiare e gjyqësorit nga buxheti shtetëror, dhe në këtë kontekst, pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i pavarësisë financiare”, thonë Këshilli Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Shoqata e Gjyqtarëve.
Por në lidhje me qëndrimin e djeshëm, sot kryeministri tha se do t’u mundësojë pavarësi financiare, pra ta marrin buxhetin e tyre dhe kjo deri në fund të vitit, por gjithashtu shtoi se do të kontrollohet me rigorozitet mënyra se si i shpenzojnë paratë.
“Do ta marrin. Po e them publikisht, do ta marrin pasi të bëjmë një analizë të detajuar se si funksionon kjo në vendet moderne. Vetë le të punësojnë, vetë le të avancojnë, vetë le të kujdesen për të gjitha shpenzimet operative. Vetë le të vendosin pagat brenda buxhetit, që do të jetë në përqindje sipas disa shembujve që kemi përcaktuar. Vetëm një gjë do të kërkojmë – përgjegjësi”, deklaroi Hristijan Micksoki, kryeministër.
Në Raportin e Komisionit Evropian u theksua se është e nevojshme pavarësia financiare e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prokurori shtetëror Lupço Kocevski së fundi u ankua se prej disa vitesh nuk ka asnjë punësim dhe punojnë me një të tretën e stafit të nevojshëm.
