Gjykimi për rastin “Titanik” vazhdoi sot me paraqitjen e dëshmive. Prokurorja Lile Stefanova kërkoi nga gjykata që të nxjerrë deklarim nga dëshmitari i cili ndërkohë ndërroi jetë.
Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 17 maj, ku do të thirren më shumë dëshmitarë.
Seanca e sotme për këtë rast është e para pas një pauze dy mujore. Pjesa më e madhe e seancave u shtynë sepse disa nga palët ishin të izoluar ose pozitivë me Covid-19.
Rasti “Titanik” ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore të vitit 2011,2012 dhe 2013. Rastin e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurorja publike Lile Stefanova.
Përveç ish-kryeministrit të arratisur Nikolla Gruevski, tek rasti “Titanik” akuzohen edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Kiril Todorovski dhe të tjerë. Ata dyshohen për shoqërim kriminal, shkelje të së drejtës për të votuar, shkelje të lirisë së përzgjedhjes së zgjedhësve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.
