Gjykimi për rastin “Monstra” vazhdon më 3 shtator

TË FUNDIT

Procesi gjyqësor për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, vazhdon më 3 shtator. Në rend dite të kësaj seanca është paraparë të dëshmojë një nëpunës policie i cili ka marrë pjesë në procedurën hetimore kundër të pandehurve. Përveç kësaj seance në muajin shtatorë për lëndën “Monstra” janë caktuar edhe tre seanca të tjera.

Në seancat e fundit dëshmi kanë dhënë ish të punësuar dhe të punësuar aktual lidhje me ekspertizën me gjetjen e automobilit “Opel Omega” për të cilin në aktakuzë thuhet se është shfrytëzuar nga ana e të pandehurve të cilët e kanë kryer vrasjen më 12 prill në Liqenin e Smillkovës.

Për vrasjen e djemve Kire Triçkovski, Filip Slavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatarin Borçe Stefanovski në prill të vitit 2012 akuzohen Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq (në arrati) dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykimin për këtë lëndë e udhëheqin gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shabani, ndërsa akuzën e përfaqësojnë prokurorët Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski.