Gjykata e Strasburgut – Për 8 vite, 8 aktgjykime për trajtim jonjerëzor në Maqedoni

TË FUNDIT

Mesatarisht një aktgjykim në vit ka sjellë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg kundër Maqedonisë për shkelje të nenit 3 të Konventës për të Drejtat e Njeriut, për shkak të sjelljeve jonjerëzore e nënçmuese ndaj personave të burgosur dhe të dënuar.

Gjykatësja e Gjyqit të Strazburgut, Mirjana Llazarova-Trajkovska thotë se për një shtet si Maqedonia, ky numër është goxha i madh. Sipas saj, duhet angazhim për trajtim më i mirë ndaj personave, rastet e të cilëve janë në procedurë para organeve shtetërore. Ajo po ashtu tha se problemi themelor në Maqedoni është pikërisht moszbatimi efektiv i hetimeve. “Problemi kryesor në këto raste është zbatimi joefektiv i hetimit, që prej se personi do të gjendet para organeve përgjegjëse dhe ankohet se ndaj tij janë ndërmarrë veprime të caktuara që e kanë vendosur ate në situatë të nënçmuar, dhe se ka pasur qasje johumane ndaj tij, deri tek  keqtrajtimi”, theksoi Llazarova-Trajkovska.

Akademia për Gjykatës e Prokurorë Publikë dhe Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve, përmes programit IPA të Bashkimit Evropian, po e realizojnë projekin për përforcim të kapaciteteve të organeve për trajtim të duhur ndaj personave të burgosur dhe të dënuar. Shënjestra kryesore janë gjykatësit për ekzekutim të sanksioneve. “Për ekzekutim të dënimeve, gjykatësit duhet në kohë t’i marrin të dhënat nga institucionet relevante. Kur të shkojë të bëjë mbikëqyrje të burgut, duhet t’i ketë të gjitha informacionet për gjendjen e personit të gjykuar, problemet e tij personale e shëndetësore, marrëdhëniet me familjen etj., që të mund të kryejë mbikëqyrje të vërtetë dhe pastaj ta zbatojë procedurën gjyqësore”, deklaroi Aneta Arnaudovska, drejtore e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë.

Drejtoresha e Drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve, Lidija Gavrillovska, thotë se në të ardhmen duhet të përmirësohet mbikëqyrja për vënie standardesh që duhet t’i përmbushin institucionet ndëshkuese-përmirësuese. Sipas saj, vlerësimi i tyre duhet të jetë publik. “Ne në Drejtori përpiluam një doracak për inspektorët që janë të punësuar në Drejtori, i cili do t’ua lehtësojë punën gjatë kryerjes së mbikëqyrjes. Ky, përndryshe, është roli kryesor i Drejtorisë, pra të bëjë mbikëqyrje mbi punën e institucioneve ndëshkuese-përmirësuese”, potencoi Gavrillovska.

Gjithsej 194 lëndë janë në procedurë e sipër para Gjykatës në Strasburg, për të cilat ka ankesa se shteti ka shkelur një të drejtë nga Konventa. Përndryshe, më së shumti ankesa për trajtim të paduhur me personat e burgosur në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në këtë moment kanë Rusia dhe Ukraina.

Gabriella Dimkoviq-Mishevska