Kryetari i Strugës, Ramiz Merko dëgjoi aktgjykimin rreth lëndës që zhvillohej kundër tij para Gjykatës Themelore në Strugë, në të cilin akuzohet për “punë jo të ndërgjegjshme në shërbim” dhe parregullsi gjatë emërimit të ushtruesve të detyrës drejtorë të shkollave fillore në fshatrat e Strugës, Labunishtë, Radozhdë edhe Podgorcë.
Merko për këtë u dënua me 10 mijë euro. Sipas gjykatës nuk ka bazë për vendim me burg efektiv. Arsyja për këtë, sipas gjykatësit Jordan Jovanov, është se Merko deri tani nuk është dënuar për asnjë vepër dhe kjo për të akuzuarin paraqet rrethanë lehtësuese.
“Rrethana lehtësuese, janë marrë në lidhje me faktin se i pandehuri nuk është dënuar deri më tani, ky do të jetë dënimi i tij i parë, duke bërë që gjykata të vendosë për të në vend që të përcaktojë disa dënime nga më të rëndat, siç është burgimi, ta dënojë atë me gjobë”, tha Jordan Jovanov, gjykatës.
Gjykatësi tha se zbrazëtirën ligjore gjykata e ka gjetur në faktin se Merko nuk ka qenë propozuesi i drejtpërdrejtë, por kandidatët për drejtorë janë marrë në pyetje në një bord, veprimet e të cilit nuk janë saktësuar nga organi i akuzës, ku drejtuesit janë pyetur nëse duan ose jo të drejtojnë institucionin.
“Ne kemi parë se nuk është vetëm një shkollë në fjalë, por gjithnjë e më shumë drejtorë në detyrë dhe më shumë herë, dhe një person madje 6 herë, njëri pas tjetrit, pa pasur ndonjë miratim të veçantë, përveç një përgjigjeje të përgjithshme nga Ministria e Arsimit, e cila thotë se zbatoni ligjin, i cili parashikon fillimisht ta zbatojë ligjin për arsimin fillor, dhe pastaj të shpallim konkurs”, deklaroi Jovanov.
Kundër Ramiz Merkos në Gjykatën Themelore në Strugë është në zhvillim edhe akuza për emërimin e një drejtori në shkollën “Vëllezërit Miladinov”, e cila po ashtu është në fazën përfundimtare dhe vendimi pritet muajin e ardhshëm.
Gjykatësi Jovanov gjithashtu ka caktuar seancën dëgjimore për muajin e ardhshëm në rastin në lidhje me shkollën në fshatin Veleshtë, ku ka të pandehur që akuzohen edhe për falsifikim dokumentesh, në të cilën mbetet të dëgjohet vetëm edhe një dëshmitar.
Gjithashtu, kundër Merkos është duke u zhvilluar një gjyq, në të cilin ai akuzohet për vendosjen e paligjshme të një memoriali përpara ndërtesës së komunës.
Gjykata në Strugë një javë më parë mori vendim për lirim nga akuzat në çështjen kundër Merkos lidhur me blerjen e një automjeti luksoz për nevojat e komunës.