Gjorgjiev braktis Komisionin maqedono-bullgar! MPJ dhe Qeveria mohojnë të kenë ushtruar presion ndaj historianëve

TË FUNDIT

Historiani Vanço Gjorgjiev dha dorëheqje nga Komisioni i Përbashkët maqedono-bullgar, kurse përmes një kumtese i shpjegoi arsyet për një vendim të tillë.

 “Kohëve të fundit kishte përpjekje të hapura për ndikim politik ndaj punës së Komisionit, që përshkallëzoi gjatë ditës së parë pune (21.10.2021) në takimin e rregullt, përmes përzierjes së drejtpërdrejt në punën profesionale nga ana e një funksionari të lartë në MPJ”, tha Vanço Gjorgjiev.

Ai shton se për shkak të “udhëheqjes së këtillë të dyfishtë” të pjesës maqedonase të Komisionit, nuk është respektuar parimi i vendimmarrjes konsensuale.

 “Po e theksoj se propozim-idetë që ishin përgatitur dhe shkëmbyer gjatë ditës së djeshme nga ana e pjesës maqedonase të Komisionit, ide këto të cilat kanë të bëjnë me tekstet shkollore maqedonase për klasat e VII-ta, janë pa miratimin tim”, u shpreh profesori Vanço Gjorgjiev.

Anëtarët e Maqedonisë që janë pjesë e Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore, dolën me reagim lidhur me dorëheqjen e sotme.

ANËTARËT E KOMISIONIT TË PËRZIER NGA MAQEDONIA

“Nuk ka asnjë bazë që të pohohet se ekziston parim i ri i punës, as presion nga MPJ-ja, Qeveria ose partitë politike”.

Nga Qeveria mohojnë se janë përzier ose se kanë ndikuar në punën e komisionit të përbashkët multidisiplinor në lidhje me çështjet historike dhe arsimore.

 “Në mënyrë kategorike hedhim poshtë çfarëdolloj insinuate se ka pasur ndonjë ndikim në lidhje me vendimin e profesorit Vanço Georgiev që ta ndërpresë angazhimin e tij si anëtar i Komisionit, nga ana e Qeverisë ose ndonjë institucion tjetër”, theksuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Reaguan edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ministri Bujar Osmani tha se MPJ-ja është në koordinim të procesit të negociatave me Bullgarinë. Sa i përket komisionit të përzier historik, anëtarët kanë marrëveshje me ministrinë përkatëse.

 “Do ta shqyrtojmë rastin e fundit, për shkak se ndodhi para gjysmë ore dhe nuk i kam të gjitha informacionet, megjithatë më e rëndësishme është që komisioni të vazhdojë dhe në mënyrë logjistike ta përkrahë këtë proces. MPJ-ja as nuk është përzier e as nuk planifikon të përzihet në përmbajtjen e vendimeve të historianëve, por do t’i nxisë. Jam i zhgënjyer se nuk pranuan të mbajnë takim me prani fizike por takim onlajn, po, jam i zhgënjyer dhe planifikoj që të ndërmarr masa në lidhje me këtë pjesë”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Këto dy ditë komisioni përsëri u mblodh pas pauzës prej katër muajve, ndërsa tema e rendit të ditës është car Samoili. Përndryshe për më pak se një vit kjo do të jetë ndryshimi i dytë i përbërjes së ekipit maqedonas të Komisionit, pasi në janar profesorit Aleksandar Litovski nuk i ishte vazhduar marrëveshja  në Komision  dhe në vendin e tij u emërua profesori Isamedin Azizi nga Instituti për histori kombëtare.