Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar se vendet perëndimore duhet të heqin sanksionet ndaj Sirisë me shpejtësi nëse qeveria e re në Damask ndërmerr hapa konkrete drejt një procesi politik gjithëpërfshirës dhe respekton të drejtat e minoriteteve, transmeton Anadolu.
“Na pëlqen ajo që dëgjojmë. Nëse sundimtarët e rinj do të bënin atë që dëgjojmë prej tyre, atëherë ekziston një mundësi reale që të shfaqet një shoqëri multi-etnike dhe pluraliste me sundim të ligjit”, u tha Scholz gazetarëve në fund të Samitit të Bashkimit Evropian (BE), që u mbajt dje në Bruksel.
Ai theksoi rëndësinë e marrjes së vendimeve në kohë nga vendet perëndimore në mbështetje të këtij procesi të tranzicionit në Siri, me kusht që qeveria e re të vazhdojë qëndrimin e saj pozitiv dhe të ndërmarrë hapa konkrete drejt një qeverisje jo sektare.
“Në çdo rast, unë u bëj thirrje të gjithëve që të mos e zgjasin shumë këtë dhe të marrin vendime shpejt, por në mënyrë të rregullt, të menduar mirë dhe pasi të kenë informacione të mjaftueshme për të justifikuar një vendim të tillë. Siç thashë, ajo nuk duhet të bazohet thjesht në shpresë dhe thashetheme”, tha Scholz.
Komentet e kancelarit gjerman vijnë derisa vendet evropiane rivlerësojnë qasjen e tyre ndaj Sirisë pasi forcat kundër regjimit rrëzuan nga pushteti Bashar al-Asadin në një ofensivë të rrufeshme 2-javore. Asadi, i cili sundoi Sirinë për pothuajse 25 vjet, më 8 dhjetor u arratis në Siri pasi grupet opozitare morën kontrollin e Damaskut.
Vendet perëndimore vendosën sanksione të rënda ekonomike ndaj Sirisë pasi shtypja brutale e Asadit ndaj protestave në vitin 2011 çoi në një luftë civile shkatërruese. Sanksionet përfshinin tregtinë, një ndalim të importeve të produkteve të naftës nga Siria, ngritjen e aseteve të qeverisë siriane jashtë vendit si dhe kufizime të eksportit për disa pajisje, mallra dhe teknologji.
