“Kaloi koha kur thyeja tjegulla me kokë…”, tha Stojançe Angellov – u.d Drejtor i QMK-së.
Me këtë porosi, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov e nisi fjalimin e tij në Fejsbuk, duke njoftuar se tani ai po udhëheq me gjendjen e krizës në vend, e shpallur për shkak të Kovid-19. Këshilli i Sigurisë propozoi, kurse Qeveria miratoi vendimin. Për 30 ditë rrjesht shteti do të jetë në gjendje krize. Me këtë, Shtabi i deritanishëm i Krizës zëvendësohet me Komitetin Drejtues.
“Unë do ta thërras Shtabin kryesor dhe menjëherë do të përpilojnë një plan aksionar. Kjo nuk do të thotë se do të shpikim ujin e nxehtë. Ekzistojnë plane aksionare, do ta marrim ndonjë. E dini se në Dibër kishte plan aksionar lokal, do ta adaptojmë dhe normalisht se plani nuk do të jetë i përkryer, por do të ndryshojë sipas nevojës”, deklaroi Stojançe Angellov – u.d Drejtor i QMK-së.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, tha se sipas Ligjit për Menaxhim me Kriza, Armata do ta ndihmojë policinë në drejtim të sigurimit të objekteve strategjike – spitaleve, si dhe për sigurim të depove me barëra dhe me pajisje të tjera mjekësore mbrojtëse.
“Konsideroj se ndihma dhe mbështetja e tillë është mëse e nevojshme për autoritetet shëndetësore dhe policinë, të cilat tashmë 9 muaj gjatë gjithë kohës po luftojnë me pandeminë e Covid-19 dhe janë tërësisht të rraskapitur”, potencoi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Shpallja e gjendjes së krizës nuk nënkupton kufizime në lëvizje, respektivisht orë policore. Për këtë masë, propozim duhet të japë Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Gjendja e krizës i jep të drejtë Qeverisë që të menaxhojë edhe me kompanitë private. Për momentin më të domosdoshme janë kapacitetet e spitaleve private dhe stafi i tyre. Edhe gjendja e jashtëzakonshme, edhe gjendje krize në përgjithësi parashikojnë masa të njëjta, respektivisht kontrolle më të rrepta dhe më shumë ndalesa për qytetarët.
Dallim mes gjendjes krize dhe gjendjes së jashtëzakonshme
| Gjendja krize | Gjendja e jashtëzakonshme |
| Qendra për Menaxhim me Kriza është organi kompetent | Qeveria është organi kompetent |
| Në tërë vendin themelohen shtabe të krizës | Masat zbatohen në mënyrë më të thjeshtë |
| Mund të shfrytëzohen resurset e ndërmarrjeve publike dhe private dhe shoqatave tregtare | Qeveria miraton dekrete me fuqi ligjore |
| Pjesëmarrja e Armatës | Pjesëmarrja e Armatës |
| E shpall Qeveria dhe nuk është pjesë e Kushtetutës | E shpall Kuvendi dhe është pjesë e Kushtetutës |
| Ka fuqi ligjore për menaxhim me kriza | Nuk ka ligj për gjendje të jashtëzakonshme |
Masat janë thuajse të njëjta, por ka vetëm një dallim kyç – shpallja. Gjendja e krizës shpallet lehtë përmes Qeverisë, kurse për gjendjen e jashtëzakonshme nevojitet shumicë prej 2/3 në Kuvend, i cili në këto momente është shumë vështirë të mblidhet. Në qoftë se Kuvendi është shpërndarë apo jofunksional, atëherë gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpallë edhe Presidenti i shtetit, siç ishte në fillim të vitit. Nesër pritet që Qeveria të dalë me propozim për spitalet private lidhur me kushtet nën të cilat do të jenë pjesë e sistemit shëndetësor në drejtim të ballafaqimit me Covid-19.
