Gjakovë:Hapet konsullata e nderit e Republikës së Shqipërisë

TË FUNDIT

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka hapur konsullatën e nderit në qytetin e Gjakovës.

Vendimi për vendosjen e këtij konsulli është bërë i ditur në takimin që ka zhvilluar sot kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë Qemajl Minxhozin.

Vendimi për konsullatën e nderit është rezultat i bashkëpunimit intenziv që ka Komuna e Gjakovës me Bashkitë veriore të Republikës së Shqipërisë në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, kulturor dhe turistik.

Me këtë rast Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila ka falënderuar diplomacin e Republikës së Shqipërisë për këtë iniciativë me rëndësi të veçantë për Gjakovën.

“Kjo zyre do të jetë një mundësi e re për thellimin e bashkëpunimit duke krijuar një hapësirë tjetër të veprimit dhe koordinimit të planeve dhe projekteve zhvillimore kulturore, turistike dhe ekonomike. Tashmë jemi në rrugë të mbarë për rregullimin e infrastrukturës në zonën kufitare me theks të posaçëm në hapjen e pikave të reja kufitare që padyshim do jenë një mundësi e re sidomos për promovimin e vlerave të përbashkëta turistike”, tha ndër të tjera Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.

Ndërkohë ambasadori Qemajl Minxhozi ka thënë se ngritja e konsullit në Gjakovë, ka rezultuar fal bashkëpunimit në shumë fusha. Ai ka treguar se kjo konsullatë nuk ka të bëjë me diplomaci politike por ka karakter shpirtëror për Gjakovën dhe personin që do të emërohet. Konsullata do të jetë një qendër që prodhon edhe aktivitete të shumta.

Ambasadori Minxhozi ka thënë se vendimi tashmë është marrë dhe në muajin shator do të emërohet edhe konsulli i nderit në Gjakovë.