Gara për rektor të UT-së mbetet me një kandidat, 3 kandidatët e tjerë u tërhoqën duke u ankuar për presione

TË FUNDIT

“S’kemi çka debatojmë. Ka marrë fund!”

Tre nga katër kandidatët për rektor të UT-së u tërhoqën nga gara. Myqereme Rusi, Bashkim Ziberi e Dervish Alimi dolën me këtë vendim të përbashkët, duke e arsyetuar se profesorët përballen me presione të mëdha politike që të votojnë kandidatin tanimë të vetëm, Jusuf Zejnelin, e për të cilin thonë se përzgjedhja e tij është e kurdisur.

Promovimet tendencioze të programeve të kandidatëve para stafit akademik, duke u prononcuar haptas me aklamacion për njërin nga kandidatët, presionet e ndryshme nëpërmjet njësive akademike, vizitat e shpeshta në fakultetet e kundërkandidatëve nga ana e kryetarit të senatit dhe u.d. rektorit, për të shantazhuar të njëjtit dhe promovuar kandidatin e preferuar, deri në thirrjet individuale të mësimdhënësve duke ushtruar presione të formave të ndryshme. Që gara të bëhet edhe më e pakuptimtë këtu i shtojmë edhe presionet politike mbi profesorët, gjegjësisht familjarët e tyre. Pjesëmarrja e mëtejme në këtë garë veëm se do të legjitimonte këtë proces që është gjithçka tjetër përpos një garë e lirë akademike”, tha Bashkim Ziberi, kandidat (i tërhequr) për rektor i UT-së.

Tre kandidatët e tërhequr kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të shkarkojnë kryetarin e senatit të UT-së, Vullnet Ahmetin, bashkë me anëtarët, të shkarkojë u.d rektorin Kushtrim Ahmeti dhe më pas të caktohet u.d rektor apolitik që do të udhëhiqte procesin e zgjedhjes së organeve të reja. E ministri i Arsimit Jeton Shaqiri thotë se Qeveria nuk kanë të drejtë të përzihen në procesin zgjedhor të një universiteti, por se në teren është inspektorati i cili e ndjek procesin zgjedhor.

“Sot paradite kemi realizuar takim me inspektoriatin për arsim dhe shkencë. Në asnjë nen të ligjit, e drejta e ministrisë është që të formojë komision për t’i vërtetuar por ministria nuk mund të përfshihet në autonominë e procesit zgjedhor të një universiteti. Ndikim dhe presion tek stafi akademik, votimi nuk është i hapur. Votimi është i fshehtë. Nëse kemi arritur si shoqëri që të vlerësojmë presione edhe tek niveli më i lartë akademik, profesorët universitar që të pranojnë një presion në fushatë proces zgjedhjeje, unë do ta diskutoja si fenomen shoqëror”, tha Jeton Shaqiri, ministër MASH.

Nga Universiteti i Tetovës dolën me kumtesë se procesi i zgjedhjes së rektorit po zhvillohet normalisht.

“Procesi për zgjedhjen e rektorit zhvillohet normalisht për faktin se deri në momentin e përgatitjes dhe dorëzimit të materialit zgjedhor në njësitë akademike, kandidatët e tërhequr kanë qenë të përfshirë dhe të certifikuar në këtë proces. Siç jeni të njoftuar, kandidatët tashmë të dorëhequr, i kanë prezantuar platformat e tyre programore, kanë marrë pjesë në debate publike dhe i janë përmbajtur agjendës së këtij procesi”, deklaroi Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”.

Nga UT shtojnë po ashtu se Komisioni do ta zbatojë procesin zgjedhor në përputhje me ligjin, statutin, udhëzuesin dhe kalendarin e përcaktuar.