“Të parët që do të kenë më shumë përfitime nga Kodi Penal janë Muhamed Zeqiri dhe Dragi Rashkovski, që të dy si ish-sekretarë gjeneralë të Qeverisë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Partitë më të mëdha politike në vend duket sikur të jenë në fushatë zgjedhore, edhe pse deri te zgjedhjet e rregullta duhet pak më pak se një vit. VMRO-DPMNE sot në Strugë i bindte qytetarët se kur do të vijnë në pushtet, në Maqedoni do të ketë përgjegjësi për secilin që ka kryer krim.
Qytetarë: Një pyetje për krimet e këtij pushteti, a do të përgjigjen?
-Për secilin krim që do ta dëshmojnë do të ketë përgjegjësi dhe do të përgjigjen, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
LSDM nga ana tjetër ishte mes qytetarëve të Gostivarit.
“DPMNE është për izolim, për pasiguri ekonomike dhe qëndrim në një vend. Nuk ka asnjë argument pse po bllokohet standardi më i mirë i jetesës për qytetarët. Me anëtarësimin në BE do të sigurojmë gjuhën, identitetin, kulturën maqedonase por edhe prosperitet ekonomik të vendit dhe për të gjithë qytetarët”, tha Sanja Llukarevska, nënkryetare e LSDM-së.
Nga partia në pushtet përsëritën se dy ofertat për VMRO-DPMNE-në ende janë të hapura.
“Të hënën të miratojmë ndryshimet kushtetuese, të njëjtën ditë do të shpërbëjmë Kuvendin dhe do të shkojmë në zgjedhje ose nëse dëshirojnë atëherë të hapim ndryshimet kushtetuese, të hyjnë në Qeveri në bazë të barazisë, përkatësisht 50% të ministrive, plus do të mbyllim procesin e skriningut dhe të ndryshimeve kushtetuese, të hapim kapitujt, së bashku të mbyllim një apo dy kapituj dhe më pas të shkojmë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.
BDI këtë fundjavë pa aktivitete, por funksionarët shpërndanë një anketë me të cilën lëvdoheshin se janë “fuqia” e dytë më popullore në skenën politike.
