“FSHESË” E ASHPËR PËR LSDM-në, VIJOJNË NDRYSHIMET E MINISTRAVE DHE DREJTORËVE

TË FUNDIT

Pas seancës së Këshillit Qendror të LSDM-së, që zgjati 4 orë, dhe pas së cilës u shkarkuan pothuajse e gjithë udhëheqësia e partisë, dhe pasi që lideri i partisë paralajmëroi se do të vijojnë edhe ndryshime në pushtetin ekzekutiv, me reagim doli ministri për punë të brendshme, Oliver Spasovski, i cili u shkarkua nga posti i nënkryetarit të LSDM-së. Ai tha se në seancën e mbrëmshme, Këshilli Qendror ka sjellë vendime të shkëlqyeshme. Pyetjes se a do të kandidohet përsëri për nënkryetar dhe a ekziston mundësia që edhe ai të ndryshohet nga posti ministror, ai tha se për këtë do të vendosë Zaev.

“Është me rëndësi se të gjithë ne pajtohemi se duhet t’i ndryshojmë dhe t’i përmirësojmë gjërat dhe ta përforcojmë strukturën. Këtë gjë, rrallë e bën ndonjë parti e cila është në pushtet dhe e cila i ka fituar zgjedhjet”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Ministri për transport dhe lidhje, për të cilin flitet se do të përfshihet me “fshesën”, thotë se edhe ai i mbështet vendimet e kryeministrit.

“Kam besim të plotë në vendimet e kryeministrit. Ne bisedojmë në mënyrë të hapur për të gjitha çështjet dhe gjërat që kanë të bëjnë me kompetencat tona, sepse bëhet fjalë për interesa shtetërore. Kështu që do ta respektoj secilin vendim të kryeministrit”, theksoi Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Zv.kryeministri për ekonomi, Koço Angjushev, theksoi se nuk sheh asgjë tragjike dhe se ata duhet të jenë të vetëdijshëm se një ditë do të ndryshohen.

“Unë personalisht jam i qetë sa i takon kësaj çështjeje dhe mendoj se është joserioze që dikush të përgjigjet përveç kryeministrit Zaev, prandaj thjesht nuk kam çka të përgjigj”, potencoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.

Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu, pyetjes se a vlerëson se do të mbetet në postin ministror, theksoi se ky vlerësim duhet të dalë nga e qytetarëve dhe strukturat politike.

“Çdo vendim që do të ndërmerret nga ana e partnerëve të koalicionit besoj se do ta respektojnë të gjithë ministrat  sepse funksioni ynë është që t’i zbatojmë këto programe”, shtoi Suhejl Fazliu Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Mbrëmë pas mbarimit të seancës të Këshillit Qendror, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kumtoi se tani e kanë radhën që të ndryshohen dhe të rrotohen ministrat. Ai nuk deshi që të shpalos emra dhe sa ministra do të përfshihen me “fshesën”, vetëm tha se ndryshime do të ketë në më shumë se tre ministri. Zaev tha se gjatë kësaj jave pret që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, të vendos për ndryshime të kuadrove të tij.

“Duke pasur parasysh se deri më tani janë ndryshuar 6 ministra, nga kultura, drejtësia, arsimi dhe tre ministra pa resor, ne jemi afër numrit nga një e treta, që do të thotë se do të shkojmë me votimin e qeverisë, për shkak se nëse shkojmë me më shumë se dy, e arrijmë limitin për rikonstruim, që do të thotë se do të ketë më shumë se tre”, deklaroi kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në  seancën e djeshme është ndryshuar sekretari i përgjithshëm i partisë, Aleksandar Kiracovski. Në vendin e tij u emërua ministri aktual i bujqësisë, Lupço Nikollovski, pastaj të gjithë nënkryetarët, i gjithë Bordi Drejtues, sekretari për organizim Mile Zeçeviq si dhe Cvetanka llaskova nga Forumi i grave. Kiracovski shkroi një komentim në rrjetet sociale se vendimet janë për të mirën e të gjithëve dhe ndodhin vetëm në parti me vetëdije të lartë. “Në prag të dyvjetorit të qeverisjes, arritëm të bëjmë shumë për partinë dhe për vendin, por kuptohet se ka edhe më shumë për të bërë”, shkroi Kiracovski.

Përgatiti: Svetllana Unkovska