Lufta në Ukrainë u bë arsye që të rritet përhapja e lajmeve të rreme. Komunikologu Bojan Kordallov, thotë se lufta po zhvillohet në dy fronte, në frontin ushtarak dhe në frontin e informacioneve, gjegjësisht dezinformatave.
“Në kushte lufte, nuk mund të bësh balancë dhe në kohë kur bien bomba dhe granata, nuk mendoj se duhet ta kërkojmë mesin, por thjesht duhet ta zgjedhim anën për të cilën mendojmë se është e drejtë. Kur flasim për Maqedoninë, ne jemi vend-anëtar i NATO-s, kjo duhet thënë qartë dhe ne si shtet kemi zgjedhur jo vetëm anën, por ne marrim pjesë në procesin e vendimmarrjes në Aleancë, e jo vetëm në zbatimin e tyre. Lufta po zhvillohet në dy fronte – në frontin ushtarak dhe në frontin e informacioneve, gjegjësisht dezinformatave. Kështu që, është shumë me rëndësi sa do të kemi sukses dhe sa do të mund të mbrohemi sepse çdo vend i sheh interesat e veta”, tha Bojan Kordallov, komunikolog.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski theksoi se hulumtimet tregojnë se politikanët dhe vetë shtetet janë përhapësit kryesorë të lajmeve të rreme.
“Hulumtimet zakonisht tregojnë se përhapësit kryesorë të dezionformatave janë politikanët. Ashtu është edhe me luftën në Ukrainë, ashtu është edhe në kontekstet lokale ku përhapësit kryesorë të dezinformatave dhe lajmeve të rreme janë politikanët. Po shihni se si transmetohen deklaratat e deputetëve, politikanëve, disa njerëz me shumë lehtësi thonë gënjeshtra, e pastaj mediat vetëm i transmetojnë…. këtu qëndron problemi i mediave të cilat ndonjëherë nuk e kontrollojnë aq sa duhet lajmin ose deklaratën. Por, ju nuk mund të prisni se sot ndonjë deputet është zgjuar dhe ka thënë – sot do të përhap një lajm të rrejshëm”, pohoi Mlladen Çadikovski, kryetar i ShGM-së.
Filip Stojanovski nga “Metamorfozis” në “Click Plus” tha se sipas hulumtimeve ka rritje të mashtrimeve online.
“Hulumtimi që bëri “Metamorfozis” tregoi se qytetarët janë të vetëdijshëm për problemin, kërkojnë zgjidhje nga sistemi, shteti, por edhe nga mediat. U bëjnë thirrje për përgjegjësi gazetarëve, redaktorëve, por edhe organeve shtetërore të cilat ndonjëherë kanë instrumente. Për shembull, te ne kolegët që punojnë në drejtim të kontrollimit të fakteve thonë se ka rritje të numrit të mashtrimeve online. Kjo është një formë dezinformimi, e cila nuk është politike, por komerciale”, theksoi Filip Stojanovski, “Metamorfozis”.
Gjatë emisionit u debatua edhe për Ligjin aktual për Mediat, si dhe për çështjen e rregullimit të hapësirës së internetit. Kryetari i ShGM-së, Çadikovski u shpreh se në Maqedoni partitë politike krijojnë portale për ta njollosur kundërshtarin e tyre politik.
