Derisa vijon mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për president, partitë politike nuk i kanë lënë anash bisedimet për koalicionime dhe definimin e listave zgjedhore. Derisa nga njëra anë kemi një koalicion të definuar opozitar, tjetra palë edhe më tej po zhvillon bisedimet për koalicion parazgjedhor. Me qëllim për të patur vetëm dy blloqe të partive politike shqiptare, nuk përjashtohet mundësia që së shpejti të zyrtarizohet edhe koalicioni mes BDI-së, PDE-së dhe Lëvizjes Populli. Nga PDE nuk japin detaje nëse kanë përafruar qëndrimet me BDI-në. Shkurtimisht u përgjigjën se për vendim final do të njoftojnë opinionin.
“Me siguri që kur të kemi vendim konkret do të njoftojmë opinionin publik”, tha Arjanit Hoxha – PDE.
Edhe kreu i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi, thotë se nuk ka avansim të bisedimeve shkaku se kanë patur aktivitete brenda partiake. Periudhën në vijim, do të vazhdojnë takimet.
“Nuk ka asgjë të re shkaku i aktiviteteve që kishim me forumin rinor. Besoj që ditët në vijim do të kemi takime”, dekalroi Skender Rexhepi – LP.
Ndërkohë Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, edhe më tej thirret në vendimin e fundit të kryesisë qendrore që ASH duhet të shkojë vet në zgjedhje. Për të marrë vendim final, kreu i BDI-së Ali Ahmeti këshilloi Selën që të bëjë një referendum brenda partiak.
“z.Sela me siguri do ta diskutojë vendimin dhe përcaktimin e tij final se si do të përcaktohet. Mendimi im është se z.Sela duhet të shpallë një referendum në partinë e tij, se a do të shkoj si parti autonome, apo do t’i bashkëngjitet Frontit për Europë”, tha Ali Ahmeti – BDI.
TV21 mëson se edhe BDI po bën analiza të tilla nëse do të garojnë vet apo në koalicion. Nëse eventualisht garojnë së bashku, thuhet që Ziadin Sela mund të jetë bartës liste në NJZ nr 5 ndërsa Ilire Dauti të jetë e treta në zonën 6. Në zonën 2 thuhet se bartës liste mund të del Skender Rexhepi ose Adnan Ismaili, por aty mund të përfshihet edhe Bastri Bajrami nga PDE, ndërsa kryetari i kësaj partie Arjanit Hoxha, mund të garojë në zonën 6.
