Francë, konservatorët zgjedhin një grua si kandidate për presidente

TË FUNDIT

Valerie Pecresse do të jetë kandidatja presidenciale e republikanëve, tha të shtunën partia kryesore e krahut të djathtë të Francës.

Pecresse fitoi 61% të votave në raundin përfundimtar të zgjedhjeve paraprake të partisë, në garën ku Eric Ciotti, një deputet nga Nice, mori vetëm 39% të votave.

Është hera e parë që partia konservatore franceze zgjedh një grua si kandidate të saj.

“Unë mendoj për të gjitha gratë franceze sot dhe u them faleminderit anëtarëve të partisë për guximin e tyre”, tha Pecresse në një konferencë për shtyp pas shpalljes së rezultateve.

“E djathta republikane është kthyer”, shtoi ajo.

Një politikane me përvojë, Pecresse, 54 vjeç, ka qenë ministre për arsimin e lartë, për buxhetin dhe ka qenë zëdhënëse e qeverisë nga viti 2007 deri në 2012.

Pozicionimi i Pecresse në qendrën e djathtë mund të përbëjë një sfidë për presidentin aktual Emmanuel Macron, i cili arriti të tërheqë votat e mbështetësve të republikanëve me prirje qendrore në zgjedhjet e mëparshme.