Franca e akuzoi Turqinë se po dërgon mercenarë sirianë për të luftuar në konfliktin në Nagorno Karabah dhe kumtoi se po punon me Rusinë për arritje të armëpushimit mes Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene. Turqia mohon se ka dërguar mercenarë të marrin pjesë në konflikt, lajmëruan mediumet franceze.
Edhe Ministria ruse e Punëve të Jashtme kumtoi dje se luftëtarë sirianë dhe libianë nga grupe të armatosura ilegale po dërgohen në rajonin Nagorno Karabah.
Rusia ka bazë ushtarake në Armeni dhe konsideron se është partner strategjik. Në Francë ka rreth 600.000 njerëz me prejardhje armene.
Ambasadori i Armenisë në Moskë të hënën tha se Turqia dërgoi rreth 4.000 luftëtarë nga Siria veriore në Azerbajxhan dhe se ata po luftojnë atje, pohim të cilin e mohoi ndihmësi i presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliev dhe Qeveria turke.
Presidentët e Rusisë dhe Franës, Vlladimir Putin dhe Emanuel Makron biseduan për eskalimin e konfliktit në rajonin kontestues Nagorno Karabah dhe iu bënë thirrje palëve të konfliktuara të përmbahen nga dhuna sa më shumë dhe t’i ndalojnë armiqësitë sa më parë, kumtoi Kremlini.
Në bisedë të inicuar nga pala franceze, liderët biseduan hollësisht për përkeqësimin e konsiderueshëm të gjendjes në zonën e konfliktit në Nagorno Karabah. U shfaq shqetësim i madh për shkak të luftimeve të fundit, thuhet në kumtesë.
