Khamenei: Asnjë ndryshim në SHBA nuk do ta ndryshojë qëndrimin armiqësor të Uashingtonit ndaj Iranit

TË FUNDIT

Ndryshimet në strukturën e pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lëshimet e mundshme të Uashingtonit nuk do ta ndryshojnë qëndrimin armiqësor të këtij vendi ndaj Iranit. Kështu deklaroi sot lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, duke paralajmëruar se përgjigjja e Teheranit ndaj çdo agresioni të ri amerikan do të jetë dukshëm më e fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse.

“Gabojnë rëndë ata që besojnë se ndryshimet mes partive politike në Amerikë mund ta ndryshojnë qëndrimin armiqësor të Uashingtonit ndaj Iranit. Është gjithashtu e gabuar të besohet se lëshimet ndaj Shteteve të Bashkuara do ta bindin Uashingtonin të heqë dorë nga armiqësia ndaj popullit iranian”, deklaroi Khamenei.

Ai paralajmëroi se, në rast të përsëritjes së agresionit amerikan, përgjigjja e Teheranit do të shtrihet në një hapësirë shumë më të gjerë, raportoi “Al Jazeera”.

Sipas tij, ndërsa SHBA-ja konsideron se fundi i përpjekjeve të saj për vendosjen e dominimit global është ende larg, Irani beson se ky moment është afër.

Khamenei vlerësoi se zhvillimet në ujërat rajonale, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, kanë dëshmuar se miti për pathyeshmërinë e Shteteve të Bashkuara është i pabazë.

Ai theksoi se vendosja e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit dhe sulmet ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon përbënin përgjigje ndaj agresionit amerikan, por edhe, siç u shpreh, pjesë të luftës kundër hegjemonisë në nivel rajonal.

Deklaratat e Khameneit vijnë pas humbjes së Partisë Republikane, të udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, në zgjedhjet për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.