Vëmendja e mbarë Evropës zhvendoset këtë të shtunë, më 16 maj, në arenën spektakolare të Wiener Stadthalle në Austri, ku do të mbahet Finalja e Madhe e Eurovision Song Contest 2026. Mes 25 shteteve konkurruese për trofeun e lakmuar, Shqipëria do të ngjitet në skenë e pesta në radhë.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis Kallaçi, me këngën e tij emocionuese “Nan”, pritet të dhurojë sërish një performancë vokale të fuqishme, ashtu siç shkëlqeu në gjysmëfinalen e dytë. Gara e mbrëmjes do të hapet nga Danimarka, për të vijuar me Gjermaninë, Izraelin dhe Belgjikën, para se skena t’i besohet delegacionit shqiptar.
Apeli i Alis: Gara nuk ka mbaruar!
Kënga shqiptare, një dedikim i ndjerë për figurën e nënës, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë rrjetin prestigjioz britanik BBC, i cili e ka vlerësuar “Nan” si një këngë me mesazh të fuqishëm. Performancës i ka dhënë një vlerë të shtuar prania në skenë e ikonës së kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku.
Alis Kallaçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme, duke kërkuar sërish votën e shqiptarëve kudo në botë:
“Jemi në finale! Dua t’ju falënderoj nga zemra për të gjithë mbështetjen që kemi dhënë deri sot, sepse bashkë me ju ndihem sikur arritëm ta bëjmë ëndrrën time – ose më mirë të themi ëndrrën tonë – realitet. Por gara nuk ka mbaruar akoma dhe do të kisha dëshirë që t’ju ftoja të votoni numrin 05 në finale,” u shpreh artisti shkodran.
Si ta mbështesim Shqipërinë?
Për të kurorëzuar me sukses këtë rrugëtim, mbështetja e diasporës është jetike. Rregullat e reja të votimit ofrojnë më shumë mundësi dhe kohë, por asgjë nuk duhet lënë për në minutën e fundit.
Sipas rregullores së festivalit, publiku nuk mund të votojë për përfaqësuesin e shtetit të vet nga brenda atij territori.
Më poshtë janë rregullat dhe udhëzimet kryesore për të votuar për Alisin me kodin 05:
Koha e votimit
Dritarja e votimit do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë performancave. Votimi do të mbyllet plot 40 minuta pas prezantimit të këngës së fundit konkurruese.
Kufiri i votave
Mund të votoni deri në 10 herë nga i njëjti numër.
Votimi nga shtetet pjesëmarrëse
Mbështetësit e Alisit që ndodhen në një nga 35 shtetet pjesëmarrëse të këtij edicioni mund të votojnë përmes telefonit, SMS-së, ose platformës zyrtare esc.vote. Udhëzimet specifike dhe numrat e telefonit do të shfaqen në ekranet e transmetuesve lokalë.
Votimi “Rest of the World” (shtetet e tjera si SHBA, etj.)
Publiku nga vendet që nuk marrin pjesë në Eurovision mund të votojë online ekskluzivisht në platformën esc.vote. Për këtë kategori, votimi hapet që në mesnatë (sipas orës CEST), mbyllet shkurtimisht para nisjes së spektaklit live dhe rihapet sërish pak para performancës së parë. Votat e “Rest of the World” do të mblidhen dhe llogariten si një set i plotë pikësh shtesë, me të njëjtën peshë si një shtet konkurrues.
Renditja e shteteve në natën finale:
01. Danimarkë: Søren Torpegaard Lund – Før Vi Går Hjem
02. Gjermani: Sarah Engels – Fire
03. Izrael: Noam Bettan – Michelle
04. Belgjikë: ESSYLA – Dancing on the Ice
05. Shqipëri: Alis – Nân
06. Greqi: Akylas – Ferto
07. Ukrainë: LELÉKA – Ridnym
08Australi: Delta Goodrem – Eclipse
09. Serbi: LAVINA – Kraj Mene
10. Maltë: AIDAN – Bella
11. Çeki: Daniel Zizka – CROSSROADS
12. Bullgari: DARA – Bangaranga
13. Kroaci: LELEK – Andromeda
14. Mbretëria e Bashkuar: LOOK MUM NO COMPUTER – Eins, Zwei, Drei
15. Francë: Monroe – Regarde !
16. Moldavi: Satoshi – Viva, Moldova!
17. Finlandë: Linda Lampenius x Pete Parkkonen – Liekinheitin
18. Poloni: ALICJA – Pray
19. Lituani: Lion Ceccah – Sólo Quiero Más
20. Suedi: FELICIA – My System
21. Qipro: Antigoni – JALLA
22. Itali: Sal Da Vinci – Per Sempre Sì
23. Norvegji: JONAS LOVV – YA YA YA
24. Rumani: Alexandra Căpitănescu – Choke Me
25. Austri: COSMÓ – Tanzschein
