Fillon trajtimi me terapi me ozon, në vjeshtë pritet valë e re e koronavirusit në Maqedoni

TË FUNDIT

Në Spitalin “8 Shtatori” prej sot filloi ozonimi i gjakut si metodë që përdoret për trajtim të pacientëve, sidomos të rasteve më të rënda. Kjo metodë u tregua e suksesshme në vendet e tjera.

“Ekipi i anesteziologëve bëri analizë të detajuar të literaturës së vëllimshme dhe përfundoi se duhet të bëhet përpjekje që edhe kjo masë terapeutike të aplikohet për shërimin e pacientëve. Bëhet fjalë për një metodë me të cilën bëhet ozonim i një sasie gjaku nga pacienti që pastaj përsëri kthehet brenda në trupin e pacientit”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Si rezultat i pandemisë me Kovid-19, të gjitha vendet mësuan se si duhet ta organizojnë sistemin e tyre shëndetësor në periudhën në vijim, kurse ne jemi në rrugën e duhur, thotë ministri Venko Filipçe, duke porositur se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të virusit.

“Ne në fakt e bëjmë planin, pjesën më të madhe e bëmë, se si t’i organizojmë kapacitetet për muajt në vijim, veçanërisht për fillimin e vjeshtës kur, jemi të sigurt se do të kemi një valë të re të të infektuarve me ngarkesë shtesë nga gripi sezonal”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ai edhe një herë u apeloi qytetarëve t’i respektojnë masat për mbajtje të pajisjeve mbrojtëse. Ka qytetarë, siç shpjegon ministri, të cilët me të vërtetë u përmbahen këtyre masave, ruajnë distacë dhe përdorim maska, por qarkullojnë fotografi nëpër media dhe rrjete sociale në të cilat shihet se qytetarët nuk i respektojnë këto masa.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë periudhë kur  kemi më shumë orë për të lëvizur gjatë ditës, se me këtë masë – duke mbajtur maskë mbrojtëse për gojën dhe hundën, ne mund ta parandalojmë përhapjen e virusit”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ministri njoftoi se tashmë përdoret pajisja e donuar mjekësore siç janë maskat dhe pajisje e tjerë mbrojtëse, përkatësisht gjithçka që përdoret në institucionet shëndetësore publike për trajtimin e pacientëve të infektuar me kovid-19.

Sa u përket të dhënave të sotshme nga Instituti për Shëndet Publik në lidhje me  koronavirusin, theksoi se sot janë regjistruar 53 të shëruar. Në spitalin “8 Shtatori” ka ndërruar jetë një pacient 47-vjeçar nga Kumanova i cili është hospitalizuar më 3 prill në gjendje të rënde shëndetësore dhe një kohë të gjatë ka qenë në respirator. Ka ndërruar jetë edhe një pacient 66-vjeçar nga Manastiri i cili në gjendje të rëndë, me sëmundje të zemrës dhe cirozë është mjekuar në Spitalin Klinik në këtë qytet.