Fillon pastrimi i Kalasë së Shkupit! 8 milionë denarë nga ribalanci i buxhetit

TË FUNDIT

Në kalanë e Shkupit ka nisur aksioni për pastrim, pasi prej kohësh ishte mbuluar nga bari dhe mbeturinat. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, theksoi se ky simbol i rëndësishëm i historisë dhe kulturës është dëmtuar dhe lënë pas dore gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai gjithashtu bëri të ditur se dy muzetë që ndodhen brenda kalasë do të rinovohen.

“Bëmë një plan dhe me ribalancimin e buxhetit. Siguruam tetë milionë denarë, të cilët do të përdoren deri në fund të vitit. Menjëherë do të vazhdojmë me shpalljen e një prokurimi publik për riparimin e këtyre ambienteve. Më vonë, me zbatimin e gjithë këtij projekti të madh, i cili duhet të vihet në funksion që në vitin 2026”, tha Lutkov.

Drejtoresha e Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestova, informoi se Administrata ka përgatitur specifikimin teknik si dhe do të arrijë t’i përfundojë këto dy projekte infrastrukturore deri në fund të vitit dhe t’i vërë në funksion.

“Do ta shpallim tenderin në mënyrë që të mund të hyjmë dhe të fillojmë punën. Administrata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka bërë disa përpjekje në të kaluarën për të kontaktuar Qytetin e Shkupit, me NP Parqe dhe Gjelbërime. Fatkeqësisht, pa sukses”, tha Çestova.

Kryetari i BNJVL-së Orce Gjeorgjievski tha se historia duhet të ruhet me shembuj praktik.

“Historia nuk duhet të trajtohet dhe ndihmohet në atë pjesë të Facebook-ut duke shkruar statuse, as duke udhëhequr debate rreth saj, por përmes shembujve praktikë se si duhet ta ruajmë atë që është trashëgimia jonë, por edhe simbol i qytetit”, deklaroi Gjeorgjievski.

Kalaja e Shkupit është një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kulturore të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut. Në vend që të ishte një atraksion turistik, viteve të fundit kalaja ka qenë pjesërisht e lënë pas dore.