Kampionati Botëror 2026 do të luhet në 16 stadiume në tri shtete – SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa 1.248 futbollistë ndodhen në listat e 48 përfaqësueseve pjesëmarrëse.
Do të shohim plot 104 ndeshje, kurrë më parë kaq shumë kombëtare, kurrë më parë kaq shumë ndeshje.
Por, edhe para se të fillonte, pati probleme dhe mangësi të mëdha. Autoritetet amerikane ishin të rrepta në dhënien e vizave, veçanërisht për përfaqësuesen e Iranit, futbollistët e së cilës në momentin e fundit morën leje për të hyrë në SHBA, ndërsa një pjesë e madhe e drejtuesve të federatës së tyre të futbollit u refuzuan. Pa bileta mbetën edhe një numër i madh i tifozëve të tyre. Njeriu i parë i FIFA-s, Xhani Infantino, pranoi se problemet ishin Irani, vizat dhe biletat.
“Kur njerëzit thoshin se do të ishte e pamundur që Irani të vinte në Kampionatin Botëror, unë u thashë dhe u premtova se do të vinin. U thashë se, nëse duhet, do të shkoj me autobus deri në Teheran dhe personalisht do t’i sjell këtu. Përgjigjja e tyre ishte: ‘Ne vetë do ta marrim autobusin dhe do të udhëtojmë nëse është e nevojshme. Jemi kualifikuar dhe duam të luajmë”, tha Xhani Infantino
Infantino pranoi gjithashtu se nuk mundën të bënin asgjë pasi amerikanët ia ndaluan hyrjen gjyqtarit më të mirë afrikan, Omar Artan, i cili edhe pse ishte në listën e FIFA-s, megjithatë nuk do të gjykojë në Botëror.
“Ndoshta ndonjëherë është mirë thjesht të qetësohemi, të relaksohemi. Ne po punojmë për gjithçka. Po përpiqemi të zgjidhim gjithçka. Ndonjëherë, nëse menjëherë filloni të bërtisni dhe të ankoheni, kjo mund të ketë efekt të kundërt dhe ta vështirësojë gjetjen e një zgjidhjeje. Më besoni kur jua them këtë, ose mos më besoni nëse nuk dëshironi, por ne gjithmonë përpiqemi të gjejmë zgjidhje. Gjithmonë”, deklaroi Xhani Infantino.
Sa i përket pjesës futbollistike, aty titullin e fituar katër vite më parë në Katar e mbron përfaqësuesja e Argjentinës, ndërsa debutues janë përfaqësueset e Kurasaos, Ishujve të Kepit të Gjelbër, Uzbekistanit dhe Jordanisë.
Brazili është rekordmen me pesë tituj, Gjermania dhe Italia kanë nga katër, Argjentina ka tre, Franca dhe Uruguai kanë qenë më të mirat nga dy herë, ndërsa listën e fituesve e plotësojnë Anglia dhe Spanja me nga një trofe.
Përfaqësueset janë të ndara në 12 grupe. Fazën e grupeve do ta kalojnë dy të parat nga secili grup dhe tetë përfaqësuese të renditura në vendin e tretë.
