Punësime partiake ndodhin më së shumti në periudhën para zgjedhjeve edhe atë në administratën e arsimit, shëndetësisë dhe nëpër komuna, deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.
“Fokusi i strategjisë së re është që të bëhet reformë esenciale në administratën publike ashtu që ta depolitizojmë atë, ta bëjmë më profesionale, më transparente dhe në pjesën e punësimeve të kemi meritë sistem që nënkupton se gjithmonë të përzgjidhen kandidat më të mirë për punë”, tha Admirim Aliti, ministër i MShIA.
Por si do të rregullohet departizimi i institucioneve shtetërore? Aliti pret që nëpërmjet ligjit për të punësuarit në sektorin publik dhe ligjin për nëpunës administrative të vendosin mekanizma dhe instrumente që të vështirësohen ose pamundësohen punësimet partiake.
“Për atë ne e përmendim departizim sepse e dimë se si fenomen se më shumë punësime ka para zgjedhjeve, si në komuna, në shkolla ose në shëndetësi. Kështu që këtu të ketë zgjidhje sistematike ne e shtojmë në pjesën e rekrutimit e të punësuarve të jetë më transparente dhe të mos ketë mundësi edhe nëse do njeriu i parë i institucionit të punësojë militant partiak, këtë ta ketë shumë të vështirë dhe të jetë në situatë që të mos mundet as të punësojë”, theksoi Admirim Aliti, ministër i MShIA.
Ndërkaq po vijon edhe procesi i riorganizimit të administratës në tri ministri pilot që janë MSHIA, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë.
“Tani jemi në fazë kur tre ministritë duhet t’i finalizojmë vendimet se cilat institucionet do të shuhen, cilat do të bashkohen dhe nëse ka nevojë për të shtuar ndonjë institucion të ri. Por të gjitha këto propozime duhet të miratohen në Qeveri, po pastaj në Kuvend”, theksoi Admirim Aliti, ministër i MShIA.
Debati publik për strategjinë e re të reformave në administratën publike 2023/2030 filloi sot, në të cilin po marrin pjesë ekspertë të SIGMA, RESPA dhe të ministrisë së Shoqërisë së Informatikës dhe Administratës.
