Për momentin vetëm tetë pacientë me Fibrozë cistike që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore do të marrin terapi. Nga ana tjetër, pacientët e tjerë me këtë sëmundje nuk e dinë se kur do t’i marrin ilaçet që u nevojiten. Kjo nxiti që ata me këtë sëmundje të rrallë të protestojnë para qeverisë.
“Jemi të indinjuar dhe të zhgënjyer nga deklarata e ministrit të Shëndetësisë dhe atij të Financave. Shpresonim dhe kërkonim një dokument të shkruar në të cilin të garantonin se gjërat do të lëviznin. Meqenëse vitet e fundit na kanë gënjyer shumë me premtime gojore, nuk mund të mbështetemi më në to”, tha Fiki Gaspar, Asociacioni për Fibrozë Cistike.
“Herën tjetër kur politikanët të marrin një vendim, le të përpiqen të marrin frymë përmes një kallami, atëherë ata do të kuptojnë urgjencën e situatës sonë dhe shpresoj që në këtë rast do të sjellin zgjidhje më të shpejtë dhe asnjë jetë nuk do të shuhet”, Ivana Atanasoska, Asociacioni për Fibrozë Cistike.
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tha se ilaçi i shtrenjtë “Trikafta” fillimisht do të prokurohet për tetë pacientë që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Sipas tij, po përpiqen që deri në fund të vitit të realizohet premtimi që të blihen për 30 pacientë. Prokurimi do të fillojë pasi të ndryshohen ligjet e nevojshme, për të lejuar që ilaçi të blihet drejtpërdrejt nga prodhuesi. Sali tha se nuk mund të deklarojë se kur ilaçi do të vijë në Maqedoni.
“Për momentin, për shkak të urgjencës së situatës, tetë pacientë janë në gjendje më të rëndë dhe diku 22 pacientë janë në gjendje të mesme të rëndë, do të thotë që për shkak se fillojmë me këtë trajtim me këtë terapi ne jemi të fokusuar te pacientët me gjendje më të rëndë shëndetësore”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Mbi kërkesën e Asociacionit për fibrozë cistike, që të nënshkruajnë një garanci me shkrim se do ta sigurojnë këtë terapi për pacientët, Ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se garanci është dalja e tyre para mediave.
“Mendoj se kjo sot është një garanci e mjaftueshme, bashkë me drejtorin e fondit dhe ministrin e shëndetësisë dhe financave dhe konkluzioni nga qeveria, se kjo çështje është marrë seriozisht dhe do të zgjidhet”, deklaroi Fatmir Besimi, ministër i Financave.
Përndryshe në vendin tonë janë rreth 130 pacientë të diagnostikuar me fibrozë mirëpo jo të gjithë janë pacientë potencial të cilët kanë nevojë për ilaçin Trikafta, tha ministri Sali. Pacientët me këtë sëmundje të rrallë përsëri do të protestojnë nesër në drekë përpara qeverisë, pasi siç thonë nuk u besojnë fjalëve të autoriteteve relevante.
