Filipçe krenar me menaxhimin e pandemisë, pasardhësit Bekim Sali i lë amanet që të jetë transparent

TË FUNDIT

“Pikë së pari jam krenar që patëm bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe koordinim në një nga periudhat më të vështira në historinë e shtetit, për fat të keq u bë pandemi në gjithë botën po ashtu edhe te ne. Ne punonjësit shëndetësor treguam se me entuziazëm, me dashuri të madhe ndaj punës mund të korrim sukses në trajtimin e pacientëve, të riorganizojmë sistemin shëndetësor dhe arritëm të sigurojmë shtretër dhe trajtim të barabartë për të gjithë pacientët”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Menaxhimi me pandeminë është puna që e bën krenar Ministrin e Shëndetësisë në largim Venko Filipçe. Ajo për të cilën i vjen keq është se nuk kanë mundur ta realizojë projektin për Qendrën e re Klinike.

 “Mjekësia moderne, lloji i integruar i shërbimit mjekësor kërkon edhe infrastrukturë ndryshe, ka aparaturë që nuk mund të futet në sallat e vogla të operimit, që i kemi tani, kjo do edhe një koncept të ri. Ftoj opozitën që të zhbllokojë ligjin, ai është i shkëlqyeshëm, qytetarët meritojnë spital modern të ri”, shtoi Filipçe.

Postin e Filipçes do ta trashëgojë Bekim Sali. E ministri në largim e këshillon që të jetë transparent.

 “Nuk njihemi personalisht por do të inicioj takim dhe kjo do të ndodh në periudhën në vazhdim, sepse dua që t’i tregoj se çfarë do të thotë riorganizim i sistemit shëndetësor, sa i përket trajtimit të Covid-pacientëve. Sa për porosinë, e porosis gjithë secilin funksionar që vjen që të jetë i hapur dhe transparent me gazetarët në çdo kohë”, u shpreh Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë.

Përndryshe Venko Filipçe detyrën e Ministrit të Shëndetësisë e mori në vitin 2017, në Qeverinë “Zaev1”, duke u përzgjedhur kështu edhe për një mandat të dytë në vitin 2020 në Qeverinë “Zaev2”, kur edhe nisi pandemia. Pas 5 vitesh në krye të mantel bardhëve po largohet pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev.