Filipçe: Hapja e kufijve mund të bëhet kah mesi i qershorit

TË FUNDIT

Hapja e kufijve sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe me shumë gjasa mund të bëhet kah mesi i muajit qershor. Ai vlerëson se mund të shkohet kudo qoftë por duke i respektuar masat mbrojtëse, duke mbajtur maskë dhe distancë fizike. I ftuar në TV24 ai theksoi se të gjitha vendet tashmë i kanë zbatuar këto masa.

“Bëmë një proces bashkëpunimi me Greqinë. Shkëmbyem përvoja se si zhvillohej pandemia, shkëmbyem eksperienca edhe për gjendjen me numrin e pacientëve. Në Serbi ka rritje të numrit të pacientëve ditëve të fundit. Në Bosnje dhe Hercegovinë po ashtu. Tani ne patjetër duhet të veprojmë bashkërisht, duke u koordinuar, sepse ka disa çështje shumë të rëndësishme. E para, a do të kërkohen teste atëherë kur plotësisht do të hapen kufijtë? Më pas, si do të kalohen kufijtë, si do të jetë trajtimi nëse dikush sëmuret? Me Ministrin e Shëndetësisë në Greqi folëm që të lehtësohet kalimi i kufijve dhe të mos ketë pritje të gjata. Kjo sepse ato makina dhe dalja e udhëtarëve jashtë veturave në muajt e verës është një farë rreziku” tha Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë informoi edhe se skriningu në kopshtet për fëmijë do të përfundojë javën e ardhshme, duke paralajmëruar se kopshtet do të fillojnë me punë kah fillimi i qershorit.

“Këtë javë do të duhej të përfundojë skriningu dhe tashmë pas javës së ardhshme kopshtet do të fillojnë me punë, domethënë përafërsisht në fillim të qershorit”, tha Filipçe.