Familjarët e të aksidentuarve në paqartësi janë duke pritur që dje përpara spitalit të Sofjes.
Asim Selami nga Koliçani në aksidentin tragjik në Bullgari ka humbur bijën dhe dhëndrin. Që nga dje është në Bullgari për të tërhequr kufomat, megjithatë ende nuk i kanë identifikuar. Ai shprehet i revoltuar sepse thotë se kanë mungesë informacionesh nga institucionet dhe se familjarët e të mbijetuarve po presin në ankth.
“Kemi ardhur sepse bija dhe dhëndri im kanë vdekur në aksident. Jemi për analizë ADN dhe duhet të shkojmë në mjekësinë ligjore”, pohoi Asim Selami.
Ndërkaq Ali Selmani nga Koliçani i Shkupit, në aksidentin tragjik humbi në 3 të afërm, ndërsa në spital po trajtohen 4 të tjerë, mes tyre edhe bashkëshortja.
Për të lënduarit u kanë thënë se janë mirë me shëndet, por sërish nuk i lejojnë t’i vizitojnë. Ndërkaq për viktimat, siç ka mësuar nga vëllai u bashkëshortes, sot u kanë marrë material të ADN- për t’i identifikuar viktimat.
“Ne nuk kemi asnjë kontakt as me Ambasada dhe askënd tjetër. Ja, do të apeloj deri te ata dhe te ju mediat – të përfundojë ky proces sa më shpejtë. Nuk e di si të shprehem, sa më shumë presim aq më e dhimbshme është. Informata morëm për pacientët e mbijetuar se janë në gjendje të mirë”, tha Ali Selman.
Ndërkaq ministri i Punëve të jashtme Bujar Osmani erdhi në spitalin publik ku po trajtohen shtatë të mbijetuarit. Ai tha se është aty për tu bërë urë komunikimi ndërmjet familjarëve dhe institucioneve në Bullgari.
“Ky është proces dhe arsyeja se pse kam ardh këtu është që pikërisht të lehtësojë këto aspekte të komunikimit me familjen, me njerëzit. Nuk do të ketë nevojë të secili të bëhet identifikimi me AND besoj, ashtu që jam këtu për tu bërë një urë ndërmjet familjarëe dhe institucioneve në Bullgari”, deklaroi Bujar Osmani, ministre i Punëve të Jashtme.
Autopsia e trupave të viktimave në aksidentin e autobusit pritet të përfundojë deri në fund të ditës, ndërsa identifikimi deri në fund të javës, pas së cilës shteti ynë do të organizojë bartjen e kufomave në Shkup, ka thënë Osmani. TV21 kontaktoi me drejtorin e Institutit për mjekësi ligjore Aleksandar Stankov, ai tha se ndodhet në Sofje dhe se janë marrë monstra nga familjarët, e që deri nesër pritet të dalin rezultatet e autopsisë.
