Evropa Perëndimore e vërshuar, Gjermania në kërkim të të zhdukurve, moti i keq arrin edhe në Austri

TË FUNDIT

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan vërshime në një pjesë të Austrisë të shtunën në mbrëmje, edhe pse nuk kishin pasoja fatale si në Gjermani dhe Belgjikë. Më i goditur ishte rajoni i Salcburgut. Më së shumti u godit qyteti Hallein, ku një përrua i vogël u shndërrua në lum të furishëm i cili vërshoi qytetin.

Sipas shërbimit të zjarrfikësve, nuk ka denoncime për të zhdukur, të lënduar apo të vdekur deri vonë në mbrëmje. Personat që mbetën të izoluar në shtëpitë e tyre janë evakuuar me anije apo kamion. Niveli i ujit përsëri ra natën vonë, por gjendja në qytetin e vogël mbetet e tensionuar për shkak të mundësisë për reshje të reja gjatë ditës së sotme.

Uji po tërhiqet edhe nga Gjermania. Pas vetes la tmerr. Vetë banorët e rajoneve më të goditura, Rajna – Veriore Vestfalija dhe rajoni Rhine Falls, nuk mund të besojnë në atë që shohin.

 “Me të vërtetë mund të jeni vetëm të mërzitur për këtë. Ndërtoni gjithë kohës dhe përnjëherë gjithçka shkatërrohet. Me të vërtetë është tmerr”, tha Uve Shnicler.

 “Ky ishte ish-trajneri im i futbollit para 10 vjetëve, ndërsa shtëpia e tij është…mund  ta shihni këtë…Ka një krater tepër të madh, ndërsa shtëpia nuk është askund…Kjo është e keqe… me të vërtetë”, theksoi Nikolas Bar!

Qindra vullnetarë u bashkuan në qytetin gjerman Nuerburg për të ofruar ndihmë dhe për të mbledhur donacione për më të goditurit nga vërshimet. Qyteti në zonën Ahërvajler zakonisht është nikoqir i ngjarjeve të mëdha, por për shkak të vërshimeve, kompania e cila i organizon këto ngjarjet, i vuri në dispozicion të punësuarit dhe hapësirat e saj si ndihmë për rajonet e vërshuar. Deri të premten në mbrëmje, sipas kompanisë, mbi 500 vullnetarë ishin në vendngjarjen duke ndihmuar ditë e natë dhe duke i grupuar donacionet.

 “Për momentin kemi mbi 500 vullnetarë. Ata janë njerëz të cilët kanë qenë në shtëpi dhe i thanë vetvetes: Dua të jem pjesë e kësaj, dua të ndihmoj, të fillojmë me këtë. Po. Mbi 500 dhe sipas të gjitha gjasave, edhe më shumë deri më tani”, u shpreh Ingo Boder – udhëheqës i ngjarjeve dhe operacioneve.

Numri i viktimave në vërshimet që e kapluan Evropën Perëndimore është mbi 180. Më e goditur është zona Pfals, Rajna, ku jetën e humbën 45 persona, mes të cilëve edhe 4 zjarrfikës. Në Belgjikë deri më tani janë konfirmuar 27 viktima. Vërshime kishte edhe në zonën kufitare mes Gjermanisë dhe Çekisë./TV21

TË NGJAJSHME