Evropa nën presion hibrid! Rusia e përgatitur të sulmojë një vend evropian brenda 5 vjetësh?

TË FUNDIT

Në fjalimin para eurodeputetëve, Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se seria e incidenteve – nga dronët mbi baza ushtarake, deri te shkeljet e hapësirës ajrore – nuk janë rastësi, por pjesë e një strategjie të koordinuar për të destabilizuar Evropën.

“Një incident mund të jetë gabim, dy rastësi, por tri, pesë, dhjetë – kjo është një fushatë e synuar kundër Evropës. Duhet të reagojmë, të hetojmë çdo rast dhe të mos trembemi t’i tregojmë përgjegjësitë, sepse çdo centimetër i territorit tonë duhet të jetë i sigurt”, tha Ursula Von Der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian.

Ajo theksoi se bëhet fjalë për një luftë hibride të organizuar me qëllim të dobësimit të mbështetjes për Ukrainën dhe ndarjes së Unionit.

“Kjo nuk është shqetësim i rastësishëm, por një fushatë e koordinuar për t’i shqetësuar qytetarët tanë dhe për të testuar vendosmërinë tonë. Është koha ta quajmë me emrin e vërtetë – kjo është një luftë hibride”, pohoi Ursula Von Der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian po përgatit një plan deri në vitin 2030 për forcimin e mbrojtjes evropiane, i cili do të përfshijë zhvillimin e ashtuquajturit “muri i dronëve” – një sistem për zbulimin dhe neutralizimin e fluturuesve pa pilot. Plani do t’u dorëzohet për miratim udhëheqësve të 27 vendeve anëtare.

Sipas vlerësimeve, Rusia mund të jetë e përgatitur të sulmojë ndonjë vend evropian brenda 3 deri 5 vjetësh.

Von der Leyen përfundoi se Europa duhet jo vetëm të reagojë, por edhe të kundërpërgjigjet – sepse çdo hezitim zgjeron “zonën gri” të paqëndrueshmërisë.

“Zgjedhja është e qartë – ose ne do të tërhiqemi dhe do t’i lejojmë kërcënimet të eskalojnë, ose do t’u kundërvihemi me unitet, tërheqje prapa dhe vendosmëri”, u shpreh Ursula Von Der Leyen, kryetare e Komisionit Evropian.

Në javët e fundit, udhëheqësit evropianë, përfshirë edhe presidentin francez Emmanuel Macron, kanë kërkuar një përgjigje më agresive – duke përfshirë edhe rrëzimin e dronëve që do të shkelin hapësirën ajrore evropiane.