Vizita, por edhe bisedimet e eurokomisarit Oliver Varhei me zyrtarët e lartë të vendit, kaluan pa paralajmërime për takimet e tij, por edhe pa deklarata për media. Ai pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bojan Mariçiq, refuzoi të japë deklaratë për gazetarët të cilët e prisnin para Qeverisë.
Për takimin në fjalë, Qeveria dërgoi vetëm një kumtesë në të cilën thuhej se është biseduar për luftën në Ukrainë dhe perspektivat evropiane të rajonit. Bashkërisht kanë rënë në përfundim se eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit janë nevojë e vendeve në suaza rajonale, por edhe e vetë BE-së, shkruan në kumtesë.
“Ekziston pajtueshmëri se tani është momenti për zhbllokim të eurointegrimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që në të kundërtën mund të mbetet një çështje e hapur për një kohë më të gjatë, e kjo nuk është në favor të asnjërës palë. Kryeministri Kovaçevski theksoi se mbetet i përkushtuar kryesisht në parimet e respektimit të vlerave evropiane dhe në negociatat e bazuara në respekt dhe dinjitet, për çka janë dakorduar me kryeministrin Petkov gjatë vendosjes së dialogut dhe pret raporte mbi këtë bazë“, thonë nga Qeveria.
Ish zv/kryeministri për eurointegrime dhe ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov në emisionin e djeshëm Klik Plus në TV21 me kritika ndaj eurokomisarit Varheji, tha se ai kishte rol negativ në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
“Kemi komisar i cili po të ishte i kyçur më pak në këtë çështje, po të na “ndihmonte” më pak, me shumë gjasa do ta zgjidhnim ndoshta edhe gjatë kryesisë gjermane. Për shkak se ai nuk ndihmoi. Për shkak se jepte propozime paralele me Berlin, propozime të ndryshme që ishin më shumë në linjën me pozitat bullgare, propozime që nuk i mbështetën shumë nga vendet anëtare”, tha Nikolla Dimitrov, ish zv/kryeministër.
Marko Troshanovski nga Instituti Societas Civilis nuk pret zgjidhje të shpejtë të problemit me Bullgarinë duke thënë se ky proces do t’i shqetësojë njerëzit edhe gjatë 10 viteve të ardhshëm.
“Atë që e tregojmë ne në dokumentin tonë është se të gjitha kompromiset që do t’i bënim në negociatat me Bullgarinë janë të lidhura në mënyrë të ndërsjellë. Asnjë prej tyre nuk mund të ekzistojë në mënyrë të pavarur nga të tjerat”, deklaroi Marko Troshanovski, Societas Civilis.
Takimet e Varhejit me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe politikanë të vendit, ndodh në suazë të vizitës së tij rajonal të vendeve të Ballkanit perëndimor. Pasi dje zhvilloi takime edhe biseda në Sofje, nesër udhëton për në Tiranë. Dje Varheji dërgoi mesazhe të qarta se BE-ja gjithnjë e më shumë po interesohet për fillim të shpejtë të negociatave të Maqedonisë dhe Shqipërisë.
