UEFA ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë sportdashësit që do ndjekin kombëtaret e tyre në “Euro 2024” në Gjermani .
Ata do mund të lëvizin falas me transportin publik të dedikuar vetëm për në stadium.
UEFA ka nënshkruar një marrëveshje me kompanitë gjermane të transportit publik të shoqatës VDV (Verband Deutscher Verkehrsunternehmen) për t’u garantuar tifozëve që posedojnë bileta për turneun final, i cili do të luhet në dhjetë qytete pritëse në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024.
Marrëveshja parashikon që të gjithë mbajtësit e biletave për ndeshjet e fazës finale do të kenë të drejtën e një karte udhëtimi 36 orëshe, e cila mund të përdoret në transportin publik në dhjetë qytetet pritëse pa kosto shtesë nga ora 6 e mëngjesit në ditën e ndeshjes deri në orën 18:00 në ditën tjetër.
Në varësi të qytetit pritës, Shoqata e Transportit Publik pret që rreth 70% e mbajtësve të biletave të përdorin transportin publik për të shkuar dhe kthyer nga stadiumet. Karta e udhëtimit do të përfshijë transportin publik në të dhjetë qytetet pritëse dhe zonat përreth pa kosto shtesë. Mbajtësit e biletave do të informohen përpara turneut se si të marrin lejen e transportit publik 36 orësh.
Shpresohet që mes tifozëve të Euro 2024 të jenë edhe tifozët kuq e zi pasi Shqipëria ka shumë mundësi të jetë finaliste në këtë ngjarje të madhe të futbollit evropian.
